Pasaporta shqiptare është në duart e tij, por fanella kuqezi mbetet ende një pikëpyetje. Elia Caprile, portieri i Cagliarit në Serinë A, është bërë zyrtarisht shtetas shqiptar, me dekret të presidentit Bajram Begaj. Një zhvillim që ka rikthyer në vëmendje mundësinë e afrimit të tij me Kombëtaren e Shqipërisë. Megjithatë, mes pasaportës dhe aktivizimit me kuqezinjtë qëndrojnë rregullat e FIFA-s.
Përveç shtetësisë, lojtari duhet të plotësojë edhe kriteret sportive të përshtatshmërisë. Në rastin e Caprile-s, raportimet italiane theksojnë se ai nuk ka lindur në Shqipëri dhe fakti që partnerja e tij është shqiptare nuk mjafton për të përmbushur këto kritere. Rregullat e FIFA-s parashikojnë disa mënyra për të fituar të drejtën e përfaqësimit të një kombëtareje, përfshirë lindjen në territorin përkatës ose lidhjet familjare përmes prindërve dhe gjyshërve.
Nëse kjo plotësohet, Federata Shqiptare e Futbollit duhet të paraqesë një kërkesë përkatëse pranë FIFA-s, e cila me pas e shqyrton dhe jap vendimin e saj në përputhje me rregullat në fuqi.
Caprile është grumbulluar më parë nga Italia, por nuk ka debutuar me ekipin kombëtar A. Kjo e lë të hapur çështjen e ndryshimit të përfaqësueses, por nuk e zgjidh problemin e lidhjes së kërkuar nga FIFA.
Tashmë, gjithçka varet nga verifikimi i kritereve dhe vendimi i organeve përkatëse të FIFA-s. Pra, një pasaportë shqiptare është vetëm hapi i parë. Për momentin, mundësia që portieri i Cagliarit të veshë fanellën kuqezi mbetet e pasigurt. (A2 Televizion)