
Familjet e kryeqytetit kishin shpenzimet më të larta mujore për konsum në vitin 2019.
Sikurse raportohet nga Anketa e Buxhetit të familjeve, publikuar nga INSTAT, një familje në Tiranë shpenzon mesatarisht 98.402 lekë në muaj.
Qarqet që paraqesin shpenzimet mesatare më të larta për konsum, pas qarkut të Tiranës, janë Korça me 82.224 lekë dhe Fieri me 79.620 lekë në muaj për familje.
Në krah të kundërt, me shpenzimet më të ulëta mujore janë Dibra dhe Elbasani, me përkatësisht 67.805 dhe 68.903 lekë në muaj për familje. Por pavarsisht kësaj, rritjen më të madhe të shpenzimeve e paraqet pikërisht qarku i Dibrës me 12,3 %, ndjekur nga qarku i Fierit me 9,2 %.
Qarqet që kanë pësuar ulje të shpenzimeve për konsum janë, Durrësi me 1,6 % dhe Vlora me 0,5 %.
Në 2019, në familje të përbëra nga një person i vetëm, grupi ushqim zë peshën më të madhe prej 44,8 %, krahasuar me tipet e tjera.
Pesha më e lartë për shpenzimet për transport është regjistruar në strukturën e buxhetit të familjeve të përbëra nga tri ose më shumë të rritur pa dhe me fëmijë, përkatësisht 6,5 dhe 6,4 %.
Në familje të përbëra nga tri ose më shumë të rritur me dhe pa fëmijë, në varësi, pesha që zënë shpenzimet për arsim është më e lartë krahasuar me tipet e tjera.
Sa i përket strukturës së shpenzimeve mesatare mujore për konsum të NjEF-ve, sipas 12 grupeve kryesore të konsumit, peshën më të madhe e zënë ushqimet dhe pijet joalkoolike. Pas ushqimeve, renditen ushqimet për banesën, me shpenzimet për energji elektrike, ujë, lëndë djegëse, qira të paguar dhe riparime të vogla.
Ndërkohë në vitin 2019, qarku me numrin më të madh të anëtarëve të një familje është Kukësi me 4,3 anëtarë, ndërsa Gjirokastra është qarku me numrin më të vogël, me 3,2 anëtarë.
Kjo anketë u krye nga INSTAT, me një kampion prej 9.360 familjesh. (A2 Televizion)