
Qytetarët fituan në shesh. Qeveria e Gjeorgjisë tërhoqi projektligjin kontrovers për identifikimin e agjentëve të huaj, pas protestave masive në kryeqytetin Tbilisi dhe kritikave ndërkombëtare. Mijëra njerëz dolën në shesh këtë javë duke shprehur zemërimin për ligjin e kopjuar nga Rusia për deklarimin e organizatave joqeveritare dhe mediave që marrin mbi 20 për qind të financimeve nga jashtë si agjentë të huaj.
Përleshjet mes manifestuesve dhe forcave të rendit kanë qenë të shpeshta, edhe në protestën e fundit, pas nisjes së procedurës për aprovim në parlament.
“Para se të gjithash, ka të bëjë me liritë themelore. Kur ne përmendim Rusinë, kemi arsye për këtë pasi e dimë se di nisi atje. Sigurisht që lufta e qeverisë kundër mediave dhe OJQ-ve nisi më herë se 2012. Por në atë vit, Rusia miratoi këtë ligj, që më pas u shndërrua në një armë të fuqishme në duart e qeverisë për të dobësuar dhe shkatërruar OJQ-të dhe mediat e pavarura”, tha Mikheil Gvadzabia, gazetar.
“Nuk do t’ia lëmë këtë vend Rusisë dhe këtyre rusëve që po sundojnë shtetin tonë me një model rus.” Pavarësisht vendimit të qeverisë, opozita njofton se do të vijojë me protestat në rrugët e kryeqytetit të Gjeorgjisë, duke kërkuar që vendi të rikthehet në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe lirimin e të gjithë të arrestuarve në manifestime”, tha Vakhtang Berikashvili, inxhinier dhe aktivist. (A2 Televizion)