
Trajneri i përfaqësueses shqiptare të futbollit, Christian Panucci, ka zbardhur listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e para të kualifikueseve të Euro 2020, ato ndaj Turqisë dhe Andorrës.
Mes 22 futbollistëve të thirrur, ka edhe prurje të reja siç është Kristi Qose, mesfushori 23-vjeçar, i cili luan në Sllovaki. Në repartin ofensiv rikthehet Armando Sadiku, i cili prej disa muajsh ka lënë pas dëmtimin që e mbajti jashtë fushave në Ligën e Kombeve.
Trajneri italian ka zgjedhur të lërë jashtë listës lojtarë si Manaj, Ndoji apo Lenjani, të cilët kanë bërë paraqitje mjaft të mira në klubet përkatëse. Megjithatë Panucci do të sqarojë çdo vendim të tijin, në konferencën e ditës së diel, atëherë kur do të nisë edhe grumbullimi i përfaqësueses. (A2 Televizion)