Bota përkujton sot një nga ditët më të errëta të njerëzimit: gjenocidin e kryer nga forcat serbe kundër civilëve në Bosnje dhe Hercegovinë. Koha nuk e fshin tmerrin e korrikut të 1995-ës në Srebrenicë, qytetin boshnjak i cili këto ditë, 30 vjet pas masakrës më të keqe të civilëve në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore, po përjeton përsëri dhimbjen dhe indinjatën për masakrat pa dallim të kryera nga serbët e Bosnjës nën komandën e Ratko Mlladiçit.
Familjarët u japin sot lamtumirën e fundit 7 viktimave të gjetura dhe identifikuara. Ceremonitë zyrtare janë planifikuar në këtë 11 korrik, të shpallur nga Kombet e Bashkuara si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit për Gjenocidin e Srebrenicës, në Varrezat Përkujtimore të Potoçarit.
Aty marrin pjesë shumë udhëheqës politikë dhe fetarë vendas, si dhe përfaqësues të institucioneve europiane, së bashku me familjet dhe të afërmit e viktimave. Nga më shumë se 8,000 civilë myslimanë boshnjakë të vrarë mizorisht brenda pak ditësh në korrik të vitit 1995, deri më tani janë gjetur dhe identifikuar 6,765 prej tyre.
Disa mijëra njerëz, kryesisht të rinj nga e gjithë Bosnja dhe Hercegovina dhe vende të tjera, pritet të mbërrijnë në Srebrenicë. Ata kanë bashkuar forcat për të formuar “Marshimin për Paqe”. Kjo iniciativë rikthen simbolikën për rrugën 100 kilometra të përshkruar nga afërsisht 15,000 myslimanë boshnjakë të cilët, në korrik të vitit 1995, pasi Srebrenica u pushtua nga serbët e Bosnjës pavarësisht se ishte një zonë e mbrojtur nga OKB-ja, ikën nëpër pyje për të kërkuar siguri në Tuzla, e cila atëherë ishte nën kontrollin e forcave qeveritare boshnjake.
Pavarësisht vulës si gjenocid, ka ende njerëz dhe politikanë, si presidenti Vuçiç në Serbi, që e mohojnë si të tillë, ndërsa po rritet numri i atyre që glorifikojnë kriminelët e luftës.
Për gjenocidin e Srebrenicës dhe rrethimin e Sarajevës, rreth pesëdhjetë ish-zyrtarë të ushtrisë, policisë dhe shërbimit serb të sigurisë janë dënuar me mbi 700 vjet burg.
Dy autorët kryesorë, gjenerali Ratko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç, përkatësisht udhëheqësi ushtarak dhe udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, janë dënuar me burgim të përjetshëm. Të dy janë në gjendje të rëndë shëndetësore. (A2 Televizion)