Greqia pezullon përpunimin e kërkesave për azil për të sapoardhurit nga Afrika e Veriut

Nga A2 CNN
9 Korrik 2025, 15:50 | Ballkani

Greqia pezullon përpunimin e kërkesave për azil për të

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis njoftoi pezullimin e shqyrtimit të kërkesave për azil, fillimisht për tre muaj, për ata migrantë që mbërrijnë në Greqi nga Afrika e Veriut me anije.

“Po pezullojmë për tre muaj përpunimin e kërkesave për azil për ata që mbërrijnë në Greqi nga Afrika e Veriut me anije”, deklaroi Mitsotakis në fjalimin e tij para parlamentit, përcjell A2 CNN.

Mitsotakis shtoi se situata emergjente në Kretë, ku zbarkimet janë rritur, "kërkon masa të jashtëzakonshme".

Në fjalën e tij para ligjvënësve grekë, Mitsotakis tha se ka informuar Komisionin Evropian për vendimin.

"Qeveria greke po dërgon një mesazh të vendosur: kalimi për në Greqi është i mbyllur", deklaroi kryeministri grek.

Mitsotakis njoftoi gjithashtu ndërtimin e një qendre pritjeje të mbyllur dhe të përhershme në ishullin e Kretës për të menaxhuar fenomenin e migracionit në nivel lokal, shkruan A2 CNN.

"Diskutimet tona me Libinë, si me qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Libisë perëndimore ashtu edhe me atë të Libisë lindore, vazhdojnë", shtoi kryeministri, duke shpjeguar se "forcat e armatosura greke janë të gatshme të bashkëpunojnë me autoritetet libiane për të parandaluar largimin e anijeve nga brigjet" e vendit të Afrikës së Veriut.

Njoftimet e Mitsotakis në Parlament u paraprinë nga një takim në Rezidencën Maximos me Ministrin e Imigracionit dhe Azilit Thanos Plevris. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos