PE fshin identitetin dhe gjuhën maqedonase? Mickoski: Ky ishte qëllimi i Bullgarisë, nuk lëshojmë pe nga vijat e kuqe

Nga Rosalba Bejdo
9 Korrik 2025, 20:18 | Ballkani

Parlamenti Evropian miratoi Raportin për Maqedoninë, por duke hequr nga dokumenti termat që lidhen me identitetin dhe gjuhën maqedonase. Amendamentet që kërkonin fshirjen e tyre, të propozuara nga eurodeputetë bullgarë, u miratuan falë mbështetjes së tre grupeve më të mëdha parlamentare, shkruan A2.

Debati për këtë raport u zhvillua mbrëmjen e kaluar, ku raportuesi për Maqedoninë, Thomas Waitz, bëri thirrje për mbështetje ndaj vendit. Me një ton të ashpër, eurodeputetja sllovene me origjinë maqedonase, Irena Joveva, iu drejtua në gjuhën maqedonase deputetëve bullgarë, duke theksuar se ekzistenca e popullit dhe gjuhës maqedonase nuk ka nevojë për aprovimin e askujt.

Nga ana tjetër, eurodeputeti bullgar Ivajllo Vallçev iu drejtua qytetarëve të Maqedonisë duke i akuzuar për mashtrim udhëheqësit e tyre.

Pas miratimit të raportit në Parlamentin Evropian, kryeministri Hristijan Mickoski mbajti konferencë për shtyp ku shprehu keqardhje për votimin. Ai tha se me këtë dëshmohet se qëllimi i Bullgarisë nuk është që të futen disa qindra bullgarë në Kushtetutë, por të zhdukë identitetin dhe gjuhën maqedonase.

Mickoski, theksoi se nuk do të lëshojë pe nga linjat e kuqe të cilat kanë të bëjnë me interesat kombëtare të shtetit në raport me Bullgarinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos