Asnjë fjalë për masat! Franca i kërkon Kosovës e Serbisë implementimin e marrëveshjeve 

Nga Ideal Gola
19 Nëntor 2024, 19:42 | Ballkani

Franca kërkoi nga Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të përqendrohen në implementimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit si e vetmja mënyrë për të çuar përpara këtë proces.

I dërguari i veçantë i Francës për Ballkanin Perëndimor, Renne Troccaz, gjatë fjalës së tij në Konferencën e Sigurisë në Beograd deklaroi se angazhimi francez dhe i Bashkimit Europian është që të tejkalohen vështirësitë që ka procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Jemi duke punuar me të dyja palët në mënyrë që të lehtësojmë dialogun. Kjo është saktësisht pse BE-ja, siç e dini ka të ashtuquajturën marrëveshja e Brukselit e Ohrit që është një kornizë në të cilën të dyja palët me ndihmën e BE-së janë duke diskutuar që të tejkalojnë vështirësitë. Ne e dijmë se cilat janë këto vështirësi”, tha Troccaz.

Troccaz iu shmang pyetjeve të gazetarëve nëse Kosovës duhet t’i hiqen masat ndëshkuese të Bashkimi Europian duke kërkuar vetëm përparim në dialog.

“Ne duhet të kemi progres në dialog brenda kësaj kornize, kornizën e lehtësuar nga BE, e dyta duhet që të përmbahemi nga çfarëdo mase e njëanshme dhe e treta është që duhet sigurisht të ndihmojmë të dyja palët që të gjejnë mënyrat për një marrëveshje të një zgjidhjeje që nuk është e lehtë. Por kjo është çfarë kemi e ku jemi, ne nuk duhet të largohemi nga kjo rrugë e nga kjo kornizë. Kjo është përgjigja kryesore”, shtoi i dërguari i Francës për Ballkanin.


Gjatë fjalës së tij, Troccaz tha se të gjitha shtetet e kanë vendin në Bashkimin Europian dhe qëllimi i proceseve në Ballkanin Perëndimor është integrimi në institucionet europiane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos