BE “kërcënon” Serbinë: Bllokojmë integrimin nëse Vuçiç shkon në paradën e Putinit

Nga A2 CNN
15 Prill 2025, 22:36 | Ballkani

BE “kërcënon” Serbinë: Bllokojmë integrimin

Procesi i anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian mund të përballet me bllokim serioz në rast se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, merr pjesë në paradën ushtarake të 9 majit që do të mbahet në Moskë, e organizuar nga Kremlini.

Kjo paradë, që përkujton fitoren e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, është kthyer në vitet e fundit në një simbol të fuqisë ushtarake ruse dhe përkrahjes ndaj politikave të Vladimir Putinit, veçanërisht në kontekstin e luftës në Ukrainë.

Zyrtarë të lartë të BE-së kanë paralajmëruar se pjesëmarrja e një udhëheqësi nga një shtet kandidat në këtë ngjarje do të ishte në kundërshtim me parimet dhe vlerat që përfaqëson Bashkimi Evropian. Sipas tyre, një vizitë e tillë do të dërgonte një sinjal negativ në lidhje me përkushtimin e Serbisë ndaj politikës së jashtme të përbashkët evropiane, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë.

“Disa vendime kanë kosto”, tha Jonatan Vseviov, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Estonisë, duke komentuar mundësinë e pjesëmarrjes së Vuçiqit në paradë.

“Pasoja është që Serbia nuk do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”, shtoi ai, duke theksuar se një veprim i tillë do të minonte seriozisht përparimin e vendit drejt integrimit në union.

Ky zhvillim vjen në një moment kur Serbia ndodhet në një udhëkryq politik mes ruajtjes së marrëdhënieve tradicionale me Rusinë dhe përpjekjeve për t'u afruar me BE-në.

Nga Brukseli kërkohet një qëndrim i qartë dhe i vendosur ndaj agresionit rus në Ukrainë. Ndërkohë, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, u ka bërë thirrje liderëve evropianë që të tregojnë unitet me Ukrainën duke refuzuar çdo ftesë për të marrë pjesë në ceremonitë që organizohen nga Kremlini. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos