Bislimi dhe Petkoviq në Bruksel

Nga A2 CNN
11 Shtator 2025, 17:04 | Ballkani

Bislimi dhe Petkoviq në Bruksel

Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, gjendet në Bruksel, është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga Qeveria në detyrë e Kosovës.

“Mbi detajet, formatet, takimet dhe temat e diskutimit, do të informoheni në përfundim të tyre”, tha për Radion Evropa e Lirë, Klisman Kadiu, shef i kabinetit të Bislimit.

Serbia, ndërkaq, raportohet se në Bruksel ka dërguar kryenegociatorin e saj, Petar Petkoviq.

Bislimi dhe Petkoviq, nën ndërmjetësimin e emisarit evropian për dialogun, Peter Sorensen, po zhvillojnë takim të përbashkët, pasi paraprakisht kryenegociatorët kanë zhvilluar takime të ndara me ndërmjetësin evropian, raportoi agjencia serbe e lajmeve, Tanjug.

LDK kundërshton pjesëmarrjen e Bislimit në dialog
Lidhja Demokratike e Kosovës – parti që në zgjedhjet e shkurtit doli e treta – ka kritikuar vendimin e Qeverisë në detyrë të Kosovës për të dërguar Bislimin në Bruksel për dialogun me Serbinë, duke e vlerësuar si vendim “të pajustifikuar dhe pa asnjë legjitimitet qytetar e institucional”.

“Përfaqësimi në dialog mund të bazohet vetëm mbi institucione legjitime të dala nga zgjedhjet dhe të mbështetura nga sovrani”, tha LDK-ja.

Që nga zgjedhjet e shkurtit, vendi ende nuk ka arritur të krijojë një ekzekutiv të ri, pasi asnjëra parti nuk ka fituar vota të mjaftueshme për të krijuar vetë institucione, teksa nuk ka ende ndonjë marrëveshje mes partive për krijimin e Qeverisë së re.

“Dialogu me Serbinë është proces i ndjeshëm që përcakton të ardhmen e shtetit tonë. Ky proces nuk mund të reduktohet në vendime të njëanshme të një qeverie në detyrë, e cila nuk gëzon më besimin qytetar dhe as shumicën e nevojshme për të marrë përgjegjësi të këtij niveli. Veprime të tilla dëmtojnë kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe rrezikojnë ta cenojnë rrugën tonë euroatlantike”, tha LDK-ja përmes një njoftimi për media.

Rundi i ri i dialogut në nivel të kryenegociatorëve vjen pasi ndërmjetësi evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, qëndroi në Kosovë dhe Serbi në muajin gusht.Në Kosovë ai bisedoi me udhëheqësit shtetërorë për, siç deklaroi, zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve, e njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen e Ohrit më 2023. Edhe pse marrëveshja nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian këmbëngul se ajo është obligative për të dyja palët.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi pas takimit me Sorensenin në Beograd se është thelbësore që dialogu me Kosovën të “kthehet tek obligimi” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe te mbrojtja e të drejtave të serbëve.

Ndonëse takime të nivelit të kryenegociatorëve janë mbajtur, në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë takim i nivelit të lartë që nga shtatori i vitit 2023. Ai takim, ishte zhvilluar disa ditë para se një grup i serbëve të armatosur të sulmonte Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter.

Për këtë ngjarje, Kosova fajëson Serbinë, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

Më 10 qershor, pas një takimi mes kryenegociatorëve, Sorensen paralajmëroi se po bëheshin përgatitje për një takim të ri të nivelit të lartë . REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos