Dhjetëra mijëra vetë në protestë, serbët kërkojnë zgjedhje të parakohshme dhe ikjen e Vuçiç

Nga Rosalba Bejdo
2 Shtator 2025, 12:48 | Ballkani

Dhjetëra mijëra protestues marshuan përgjatë rrugëve të Beogradit të hënën, në një manifestim përkujtimor për 16 personat e vrarë pas shembjes së një strehe betoni në një stacion hekurudhor të Novi Sadit. Ata kërkuan zgjedhje të parakohshme me të cilat shpresojnë të rrëzojnë nga pushteti presidentin Aleksandër Vuçiç dhe partinë e tij në pushtet SNS.

Manifestuesit të ftuar nga nxënësit e shkollave të mesme, u mblodhën gjatë mbrëmjes para stacionit të vjetër hekurudhor në Beorgad, ndërsa e përfunduan tubimin në Sheshin e Republikës, me vendosjen e kurorave dhe trëndafilave të bardhë U mbajt gjithashtu një heshtje 16-minutëshe në nderim të viktimave dhe u lexuan emrat e tyre. Protesta u mbajtën edhe në qytete të tjera, përfshirë Novi Sad, Kragujevac dhe Aleksinac.

“Nuk shoh zgjidhje. E vetmja zgjidhje që shoh, edhe pse nuk e dimë rezultatin, janë zgjedhjet. Duhet të shkojmë të votojmë edhe mes kushteve të tilla të pabarabarta. Duhet të luftojmë me sa të mundemi. Korrupsioni është origjina e të gjitha problemeve në shoqërinë tonë. Zgjedhjet mund të jenë e vetmja zgjidhje për një situatë të tillë”.

Protestuesit e mbledhur në Beograd u ndalën shkurtimisht në disa vende gjatë marshimit. Para godinës së gazetës ditore Politika dhe të Radio Beogradit, u mbajt një fjalim i regjistruar ku thuhej se “media e lirë po vdes”.

Ndërkohë ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese, nga një altoparlant i improvizuar u dëgjua një fjalim, ku thuhej se “gjyqësori është një pushtet i pavarur në Serbi vetëm në librat tanë shkollorë”.

Rojet parandaluan incidente në një pjesë të marshimit, kur kolona kaloi pranë një rruge dhe parku, ku ishin vendosur çadrat pro qeveritare, raportoi Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos