Thellimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Uashingtonit përmes Dialogut Strategjik.
Kjo është paralajmëruar muajt e fundit gjatë takimeve midis zyrtarëve të Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Megjithatë, nuk është saktësuar se çfarë do të nënkuptonte ky Dialog Strategjik gjatë mandatit të dytë të presidentit amerikan, Donald Trump, përcjell A2.
“Raportet diplomatike midis Serbisë dhe SHBA-së, të cilat zgjasin më shumë se 140 vjet, kanë kaluar rrugën nga aleanca deri tek armiqësia”, kujtoi për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë analisti i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq.
Dialogu Strategjik që SHBA-ja zhvillon me dhjetëra shtete të botës me qëllim thellimin e bashkëpunimit, përfshin një sërë fushash, nga ekonomia, siguria e deri te politika e jashtme.
“Është e sigurt që gjatë mandatit të dytë të ‘udhëheqësit të epokës’, siç e quajti Trumpin Vuçiqi, marrëdhëniet midis Beogradit dhe Uashingtonit po përparojnë dukshëm drejt një partneriteti që po i shqetëson evropianët”, thekson Jakshiq.
“Ata mendojnë se Vuçiq ka marrë anën në konfliktin e zjarrtë midis aleatëve transatlantikë dhe po largohet nga Brukseli”, shtoi ai.
Qëndrime të ndryshme për Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën nga Beogradi dhe Uashingtoni
Si dallime kyç midis Beogradit dhe Uashingtonit, Jakshiq sheh qëndrimin ndaj çështjeve rajonale në Ballkanin Perëndimor.
“Nëse ekziston ndonjë interes strategjik dhe politik i amerikanëve me Serbinë, atëherë ai kryesisht ka të bëjë me uljen e tensioneve në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë”, u shpreh Jakshiq.
Përderisa SHBA-ja është një nga partneret kryesore të Kosovës dhe ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e saj më 2008, Serbia vazhdon të mos e pranojë shtetësinë e ish-provincës së saj.
Me tensionet në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, dialogu për normalizim të raporteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian mbetet i bllokuar për dy vjet.
Qeveria në Serbi po ashtu mbështet Millorad Dodikun, udhëheqës politik nga entiteti i Republikës Sërpska në Bosnje, i cili është nën sanksione amerikane, përfshirë, ndër të tjera, për aspiratat secesioniste në Bosnje e Hercegovinë.
“Vetëm fakti që çështjet, padyshim të ndjeshme, të Bosnjës dhe Kosovës nuk janë pengesë për nisjen e Dialogut Strategjik me Uashingtonin është i mirë për pozicionin diplomatik të Beogradit”, tha Boshko Jakshiq.
“Megjithatë, mënyra se si do të diskutohet është krejtësisht e pasigurt”, paralajmëroi ai.
“Duke pasur parasysh që Trumpit i pëlqen të komandojë, ai thjesht do të kërkojë që gjithçka të bëhet sipas mënyrës së tij, dhe atëherë Vuçiqi mund të gjendet në një pozicion shumë të vështirë”, vlerësoi Jakshiq.
Përpjekja për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë u pa gjatë mandatit të parë presidencial të Trumpit përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit – në prani të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Avdullah Hoti, në Shtëpinë e Bardhë.
Marrëveshja, e cila kishte në fokus vendosjen e marrëdhënieve ekonomike midis Beogradit dhe Prishtinës, pothuajse nuk u zbatua.
Në muajt e fundit, pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka deklaruar disa herë se si president ka parandaluar “një luftë të re të madhe” që Serbia po përgatitej të zhvillonte me Kosovën.
“Ne e parandaluam për shkak të tregtisë. Ata donin të tregtonin me Shtetet e Bashkuara. Unë thashë se nuk tregtojmë me ata që luftojnë”, u shpreh Trump.
Beogradi zyrtar nuk ka reaguar ndaj deklaratave të Trumpit.
Megjithatë, presidentja e Kosovës,Vjosa Osmani, ka konfirmuar pohimet e Trumpit dhe autoritetet në Serbi i kanë cilësuar si “akuza të rreme”.
“Të hapur dhe të sinqertë” në Nju Jork
Njoftimi i fundit për Dialogun Strategjik u bë pas takimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, më 23 shtator në Nju Jork.
Por, për vetë takimin, i zhvilluar në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, nuk ka shumë informacione.
Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi shkurtimisht se Vuçiq dhe Rubio kanë biseduar për “thellimin e partneritetit përmes Dialogut dypalësh Strategjik”, si dhe për pjesëmarrjen e SHBA-së në ekspozitën ndërkombëtare EXPO, që Serbia do të mirëpresë në vitin 2027.
Ndërkaq, përmes një postimi në Instagram, Vuçiq tha se me Rubion pati një “dialog të hapur dhe të sinqertë”.
Ai i dërgoi një ftesë presidentit amerikan, Donald Trump, për të vizituar Serbinë.
“Pa dyshim që Beogradi është i entuziazmuar nga kjo perspektivë e Dialogut Strategjik me amerikanët”, vlerësoi Boshko Jakshiq.
Fitorja e Trumpit në zgjedhjet në SHBA dhe rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në janar të këtij viti, në Beograd u prit me entuziazëm.
“Për Vuçiqin, një Trump i tillë është një aleat më se i mirëpritur”, vlerësoi Jakshiq.
Administrata e mëparshme amerikane, e udhëhequr nga demokratët, kishte kritikuar disa herë Vuçiqin sa i përket çështjeve rajonale, por edhe atyre të brendshme, sikurse rënia e institucioneve demokratike dhe korrupsioni.
“Kjo ka vërtetuar se autoritetet në Beograd padyshim e kanë më të lehtë me administratën Trump sesa me administratën Biden, kur politika e jashtme zhvillohet nën moton ‘demokracia kundër autokracisë’. Trumpit këto vlera nuk i interesojnë, politika e tij e jashtme është një vazhdimësi e karrierës së tij biznesore, ndaj pozicionin e merr fitimi, jo demokracia”, shtoi ai.
Gjatë vitit të fundit, në Beograd kanë qëndruar bashkëpunëtorë të afërt dhe anëtarë të familjes së Trumpit, ku temat e takimeve kanë qenë investimet.
Si projekt kryesor veçohet ndërtimi i një kompleksi luksoz në Beograd, në vendin ku ndodhej ndërtesa e bombarduar e Shtabit të Përgjithshëm. Kompania private që është e interesuar për këtë projekt është në pronësi të dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner.
Ndryshe nga Brukseli, nga ku muajt e fundit janë dëgjuar disa zëra kritikë ndaj regjimit të Vuçiqit, drejtuesit e lartë në Uashington nuk kanë komentuar për protestat masive antiqeveritare në Serbi.
Nuk ka reagime zyrtare nga Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit, ndërsa qindra mijëra demonstrues në rrugët e Serbisë për më shumë se dhjetë muaj po kërkojnë përgjegjësi nga autoritetet për vdekjen e 16 personave në aksidentin në Novi Sad.
Tarifat e larta amerikane dhe sanksionet ndaj NIS-it
Në fillim të gushtit hynë në fuqi tarifat e larta, të cilat administrata e Donald Trumpit i vendosi për importin e mallrave nga disa vende.
“Shtrohet pyetja pse Trumpi i vendosi Serbisë tarifa kaq të larta, të cilat janë ndër më të lartat në botë dhe Evropë, dhe me diferencë më të larta në Ballkanin Perëndimor”, theksoi Jakshiq.
Tarifa prej 35%, që SHBA-ja vendosi për mallrat nga Serbia, janë të dytat për nga lartësia në mesin e shteteve evropiane, pas Zvicrës.
Pas vendosjes së tarifave, autoritetet në Beograd kanë theksuar se ato u shkaktojnë probleme të mëdha për shkak të tërheqjes së investimeve të huaja.
Edhe pse pas takimit me Rubion, Vuçiq deklaroi se “çështja e tarifave ishte në fokus”, rezultatet e asaj bisede deri tani nuk dihen.
Marrëdhëniet dypalëshe mes dy shteteve janë të rënduara edhe nga sanksionet që Uashingtoni vendosi në janar ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), e cila është në pronësi kryesisht ruse.
NIS arriti që të shtynte disa herë zbatimin e sanksioneve, por Vuçiq njoftoi më 25 shtator se ato do të hyjnë në fuqi më 1 tetor.
“Ne kemi qenë jashtëzakonisht korrektë ndaj partnerëve rusë dhe partnerëve amerikanë, dhe do të përpiqemi të vazhdojmë të jemi korrektë, por njerëzit duhet të dinë se do të duhet të paguajmë një çmim jashtëzakonisht të lartë”, tha Vuçiq për gazetarët në Nju Jork më 25 shtator.
Sanksionet ndaj Industrisë së Naftës janë vendosur për shkak të të ashtuquajturit “rrezik sekondar” për shkak të lidhjes me Gazprom Neft-in rus, e cila është nën sanksione perëndimore për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Pas vendosjes së sanksioneve, Vuçiq kishte deklaruar se do të kërkohet “dalja e plotë e Rusisë nga pronësia e NIS-it”, gjë që do të kërkojë një transformim të strukturës së pronësisë.
Pavarësisht thirrjeve për të vendosur sanksione ndaj Kremlinit pas nisjes së pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022, autoritetet në Serbi vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me Rusinë.
Dhe ndërsa me Uashingtonin paralajmëron Dialog Strategjik, Beogradi ka raporte të ngushta edhe me rivalen e SHBA-së, Kinën.
Liderët e Serbisë dhe Kinës i përshkruajnë këto marrëdhënie si “miqësi të hekurt”, që pavarësisht kritikave nga Perëndimi, zhvillohet kryesisht përmes projekteve infrastrukturore.
“Vuçiq do të vazhdojë të luajë kështu, derisa të marrë atë që dëshiron”, tha Jakshiq.
Megjithatë, ai theksoi se lidhjet e ngushta të Vuçiqit me Lindjen në këtë moment nuk paraqesin pengesë në marrëdhëniet me Uashingtonin.
“Kjo është krejtësisht tipike për qasjen biznesore të Trumpit ndaj diplomacisë”, tha analisti i politikës së jashtme.
Pezullim i Dialogut të planifikuar Strategjik me Kosovën
Nisja e Dialogut Strategjik midis Serbisë dhe SHBA-së është paralajmëruar që nga gushti i këtij viti.
Sipas zyrtarëve amerikanë, ai do të nisë “së shpejti”, por Departamenti i Shtetit nuk ka specifikuar afatin e saktë kohor.
Siç është përshkruar, ai pritet të sjellë “një epokë të re” në marrëdhëniet dypalëshe: të ringjallë lidhjet politike, të zgjerojë bashkëpunimin tregtar dhe ushtarak, si dhe bashkëpunimin në fushën e energjisë dhe teknologjive të komunikimit.
Shtatorin e vitit të kaluar, Serbia e ka nënshkruar me SHBA-në marrëveshjen e parë strategjike, në fushën e energjetikës.
Para udhëtimit për në Nju Jork, Vuçiq vlerësoi se është “një sinjal i rëndësishëm” fakti që amerikanët dëshirojnë të zhvillojnë Dialog Strategjik.
Megjithatë, ai theksoi se Serbia ka “një rrugë disi më të ngushtë” në këtë proces se sa vendet e tjera.
Siç nënvizoi, Serbia, si shtet ushtarakisht neutral, nuk do të hyjë në aleancën e NATO-s, ku SHBA-ja është një nga udhëheqësit.
Gjithashtu, Vuçiq theksoi se dy vendet “nuk janë dhe nuk do të jenë” në pajtim për të gjitha çështjet, duke veçuar si dallim kryesor marrëdhëniet ndaj Kosovës.
Ndërsa paralajmëron nisjen e Dialogut Strategjik me Serbinë, administrata e Trumpit ka vendosur të pezullojë përkohësisht Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën.
Uashingtoni njoftoi se vendimi është marrë për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë të Kosovës, të cilat tha se kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë në vend.
“Gabimi më i madh që Beogradi mund të bëjë është të gëzohet për këtë, duke menduar se Trumpi po kthehet kundër Prishtinës”, tha Jakshiq.
“Këto hapa taktike të SHBA-së duhet të ndiqen shumë me kujdes, sepse ato nuk janë garanci që Vuçiq, pavarësisht nga lëvdatat për Trumpin nga Beogradi, është bërë i preferuari i Uashingtonit brenda natës”, shtoi ai.
SHBA nuk kanë saktësuar se cilat hapa konkretë kanë çuar në pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik me Kosovën.
Qeveria në detyrë e Albin Kurtit ka qenë shpesh cak i kritikave nga komuniteti ndërkombëtar gjatë katër vjetëve të fundit, kryesisht për veprimet në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – ku ajo përpiqet të shtrijë kontrollin e plotë.
Gjithashtu, vendimi i SHBA-së erdhi në një kohë kur Kosova po përballet me një krizë institucionale dhe politike, pasi vendi ende nuk ka formuar ekzekutivin e ri pas zgjedhjeve të shkurtit.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, duke ua ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime dhe të zhvillojnë ndonjë procedurë për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Kurti e ka akuzuar Gjykatën Kushtetuese për njëanshmëri, duke pretenduar se ajo është e afërt me partitë shqiptare që mandatin e kaluar ishin në opozitë.
Kushtetuesja dhe komuniteti ndërkombëtar hodhi poshtë këto pretendime të Kurtit dhe nga bashkësia ndërkombëtare këto deklarata u vlerësuan si presion nga Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, mbi gjykatën më të lartë të vendit./ REL (A2 Televizion)