
Djali i Ratko Mladiçit, Darko Mladiç ka ngritur akuza për vrasje të babait të tij në Tribunalin e Hagës. Sipas tij babai i tij ka vdekur si pasojë e trajtimit të gabuar mjekësor gjatë qëndrimit në paraburgimin e Hagës. Sipas tij, Mladiçi kishte kujdes të mirë, por nuk mori trajtimin e duhur shëndetësor.
“Ai pati kujdes të mirë, por u trajtua gabimisht. Kujdesi dhe trajtimi nuk janë e njëjta gjë”, theksoi ai.
Mjeku Ognjen Gudelj, pjesë e ekipit mjekësor të mbrojtjes së Mladiçit, akuzoi personelin mjekësor për neglizhencë, duke pretenduar se nuk i janë kryer analizat e nevojshme, nuk i është monitoruar rregullisht tensioni dhe nuk ka marrë trajtimin e duhur për diabetin. Ai gjithashtu tha se përdorimi i dozave të larta të fentanilit ndikoi në dështimin e veshkave të tij.
“Nuk iu bë asnjë test, nuk iu mat tensioni i gjakut çdo ditë, nëse nuk i jep ilaçe për diabetin. Kjo është vrasje. Kur pyetëm pse, thanë se nuk iu bë asnjë test “për ta kursyer dhimbjen”. Dhimbje nga gjilpëra e mjekut?, tha mjeku, duke shtuar se i dhanë fentanil në doza të mëdha. Kjo është arsyeja pse veshkat e tij pushuan së punuari. Nga pikëpamja mjekësore, si mjek që ka të gjithë dokumentacionin para vetes, unë pretendoj se ai është vrarë”, theksoi Gudelj.
Ndërkohë ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiç, deklaroi se Serbia kishte kërkuar lirimin e parakohshëm të Mladiçit për arsye humanitare, me qëllim trajtimin e tij në një institucion tjetër, por kërkesa ishte refuzuar më 20 gusht.
“Lloji i trajtimit që i nevojitej Mlladiçit nuk mund të ofrohej në spitalin e burgut. Në gusht, mjekët nga Haga thanë se atij i kishin mbetur edhe dy javë. Familja kërkoi, dhe shteti e mbështeti, një lirim të parakohshëm për arsye humanitare me një tregues të institucionit në të cilin do të trajtohej, por më 20 gusht, kërkesa jonë u refuzua”, tha ministri.
Ratko Mladiç, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Srpska, vdiq në Hagë duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm, pasi ishte dënuar për gjenocid dhe krime të tjera lufte. Komemoracioni për të do të mbahet më 5 shtator në Beograd, ndërsa varrimi është planifikuar për 7 shtator në Varrezat e Topçiderit. (A2 Televizion)