Bashkimi Europian rikthen përpjekjet për ringjalljen e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Për këtë arsye, përfaqësuesi special për dialogun, Peter Sorensen, po zhvillon një vizitë në Serbi. Ai u prit nga presidenti Aleksandër Vuçiç, me të cilin diskutoi mbi mundësitë për vazhdimin e dialogut me ndërmjetësimin e Brukselit, shkruan A2 CNN.
“Dialogu të kthehet te parimet themelore mbi të cilat bazohet, kryesisht në detyrimin për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe, si dhe për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve tanë në Kosovë”, shkruan Vuçiç në një deklaratë pas takimit.
Shqetësimi tjetër që ngriti ishte ai i ndalimit të pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhjet lokale. “Politika jonë është një politikë paqeje, e përkushtuar fuqimisht në kërkimin e zgjidhjeve kompromisi përmes dialogut, por edhe në një luftë vendimtare dhe të përgjegjshme për të ruajtur interesat shtetërore dhe kombëtare”, theksoi presidenti serb.
Ai deklaroi se vetëm me respekt të ndërsjellë, përgjegjësi të qartë dhe zbatim të plotë të asaj që është rënë dakord mund të flitet për stabilitet të vërtetë për të gjithë rajonin. Sorensen është takuar edhe me ministrin e jashtëm, Marko Gjuriç. Ky i fundit njofton se pritet të zhvillohet një takim mes kryenegociatorëve të Prishtinës dhe Beogradit së shpejti në Bruksel. Gjuriç e ka ngritur si shqetësim hapjen e urës së re të ndërtuar mbi Ibër. (A2 Televizion)