Bashkimi Europian ka një problem serioz me Serbinë. Këtë e konfirmon vetë Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, duke vlerësuar negativisht përpjekjet që ka bërë Beogradi lidhur me anëtarësimin në union. Zyrtarja e lartë e Brukselit kritikoi deklaratat e fundit të funksionarëve serbë, që ofenduan rëndë disa anëtarë të Parlamentit Europian, ndërsa nënvizoi se vetëm reformat pro europiane ofrojnë rrugën e sigurtë për dalje nga kriza.
“Nëse ata që kanë qenë në pushtet për dekada frenojnë ndryshimet dhe shoqërinë e polarizuar, ata bllokojnë shanset për avancim në BE. Kurse, ata si në Shqipëri dhe Mal të Zi, që kapin momentin për të ardhmen, fitojnë. Ata që mbeten në të shkuarën, humbin. Prandaj ne kemi një problem në Beograd”, tha Marta Kos.
Një problem shumë të madh me Serbinë kanë edhe të Gjelbrit në Parlamentin Europian, që i kërkojnë presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, që të mbajë një qëndrim të qartë ndaj Aleksandër Vuçiç, pasi nuk duhet të ndihet i paprekshëm, teksa urdhëron dhunimin e protestuesve.
“Sulmi nga Vuçiç kundër protestuesve, gjithashtu ofendimi i kolegëve të mi këtu duke i quajtur ‘plehrat e gjelbër’, janë të papranueshme. Ky është shembulli më i qartë se një autokraci po ndërtohet brenda Europës. Në të njëjtën kohë duke qenë aleat i Putinit, ai sulmon protestuesit paqësor dhe një lëvizje politike që lufton për liri dhe demokraci. BE nuk e mbështet këtë. Prandaj presim një dënim të plotë të këtyre veprimeve të Vuçiçit nga liderët europianë. Prandaj u kemi dërguar një letër presidentëve Von der Leyen, Costa dhe Metsola. Kërkojmë që ata të veprojnë. Gjithashtu kërkojmë rishikimin e të gjitha fondeve që shkojnë në Serbi, sepse nuk mund të vazhdojmë të financojmë një shtet që po zhytet në autokraci, në modelin e Putinit”, tha eurodeputeti Bas Eickhout.
Të Gjelbrit akuzuan presidenten Von der Leyen se nuk vepron kundër Vuçiç sepse partia e tij SNS është pjesë e grupit më të madh të Parlamentit Europian, Partive Popullore Europiane. Por duket se kjo do të ndryshojë. Presidenti i grupit parlamentar të PPE-së, Manfred Weber, thotë se e ardhmja e Partisë Progresive Serbe brenda Partisë Popullore Europiane do të jetë objekt diskutimi brenda grupit në ditët në vijim. Ai shtoi se grupi po monitoron me kujdes situatën dhe zhvillimet në Serbi. (A2 Televizion)