Europianët e kuptojnë në fund, deputetët e PE-Lajçakut: Njëanshmëria ndikoi negativisht dialogun

Nga A2 CNN
30 Janar 2025, 20:10 | Ballkani

“Qasja e pabalancuar e Bashkimit Europian në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë ndikoi negativisht në këtë proces”.

Këtë qëndrim, deputetët e Parlamentit Europian, ia kanë thënë në sy emisarit në largim, Miroslav Lajçak, sipas asaj që raporton Radio Evropa e Lirë duke cituar burimet e saj.

Kështu takimi i lamtumirës i ndërmjetësuesit me ligjvënësit e BE-së në Komisionin për Politikë të Jashtme ka qenë tepër i hidhur për të, veçanërisht gjatë vlerësimit të punës së tij 5-vjeçare në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Burime për Radion Evropa e Lirë konfirmojnë se shumica e eurodeputetëve kanë kritikuar mënyrën se si BE-ja u është qasur palëve në dialog.

Shumica e ligjvënësve kanë kundërshtuar masat ndëshkuese të vendosura nga Unioni ndaj Kosovës dhe në anën tjetër, Serbia nuk ka patur sanksione pas sulmit të armatosur në Banjskë.

Eurodeputetët kërkuan heqjen e masave dhe një qasje më të balancuar nga BE-ja, gjë për të cilën është pajtuar edhe vetë Lajçak.

Emisari në largim fajin për këtë ua la liderëve të vendeve anëtare. Më 31 janar Lajçak përfundon mandatin, ndërsa emisar i ri për dialogun Kosovë-Serbi do të jetë diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos