“Takoi Dodik dhe mbështet botën serbe”, BDI kërkon dorëheqjen e ministrit që provokoi Kosovën

Nga Xhevahir Qardaku
29 Janar 2025, 20:57 | Ballkani

Të rinjtë e Bashkimit Demokratik për Integrim protestuan në zyrën e ministrit për marrëdhëniet mes bashkësive në Maqedoni të Veriut, pasi ky i fundit provokoi Kosovën dhe u dekorua nga një shoqatë që mbron luftëtarët që bën spastrim etnik ndaj shqiptarëve.

Ata kërkuan dorëheqjen e Ivan Stoiljkoviç duke e akuzuar se mbështet hapur projektin e “Botës Serbe” dhe agjendën ruse në rajon.

“A është kjo fytyra e qeverisë që i premtoi qytetarëve barazi dhe integrim euro-atlantik? Si mund të heshtet kur një njeri që duhej të mbrojë Marrëveshjen e Ohrit shpërblehet për glorifikimin e atyre që masakruan popullsinë shqiptare gjatë viteve 1912-1918? Por kjo nuk mjaftoi! Vizita zyrtare dhe përqafimet me Milorad Dodik, liderin e projektit të ndarjes dhe shkatërrimit të rajonit, tregojnë hapur se për kë punon ky ministër dhe kush i drejton sot institucionet e shtetit.

Në emër të rinisë së Bashkimit Demokratik për Integrim, por edhe si të rinj shqiptarë, kërkojmë menjëherë dorëheqjen e këtij ministri dhe distancimin e qartë të qeverisë nga agjendat antishqiptare dhe antiperëndimore. Ky shtet nuk mund të jetë terren për glorifikimin e gjenocidit dhe rikthimin e projekteve të errëta që duan të përçajnë popujt e këtij rajoni. Kërkojmë rikthimin e harmonisë ndëretnike në vend, duke mos lënë hapësirë për provokime të tilla të turpshme nga askush dhe duke garantuar barazi dhe respekt për të gjitha etnitë në vend. Ne, si të rinj që llogaritemi si ardhmëria e këtij vendi, jemi sot këtu për të mbrojtur të ardhmen tonë dhe të drejtën për dinjitet. Nuk do të lejojmë që shqiptarët të nëpërkëmben nga ata që jetojnë në të kaluarën e errët”, tha Veton Sadiku, Forumi Rinor BDI. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos