
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë miratuar shitjen e 500 raketave Patriot për Ukrainën, municione shumë të nevojshme këto për mbrojtjen kundër sulmeve ajrore gjithnjë e më të intensifikuara të Rusisë.
Departamenti Amerikan i Shtetit bëri të ditur se raketat do të kushtojnë 2.1 miliardë dollarë dhe se do të financohen tërësisht nga aleatët e Ukrainës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka kërkuar vazhdimisht Shteteve të Bashkuara që të përshpejtojnë dërgesat e sistemeve Patriot, të cilat janë e vetmja armë efektive për të rrëzuar raketat balistike vdekjeprurëse të Rusisë, shkruan A2.
Ky zhvillim i fundit vjen vetëm pak ditë pas një përplasjeje mes Zelenskyt dhe Donald Trumpit, ku presidenti amerikan deklaroi se kishte ardhur koha që Ukraina të kishte një udhëheqës të ri, në përpjekje për t'i dhënë fund luftës me Rusinë.
Në deklaratën e publikuar të premten, Departamenti Amerikan i Shtetit tha: "Shitja do të mbështesë objektivat e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, duke përmirësuar sigurinë e një vendi partner, i cili përbën një faktor stabiliteti politik dhe ekonomik në Evropë. Ukraina do ta financojë këtë blerje përmes donacioneve nga Kanadaja, Gjermania dhe Norvegjia, nëpërmjet programit JUMPSTART, si dhe nga fondet kombëtare të financuara nga huaja e Bashkimit Evropian për mbështetjen e Ukrainës".
Në deklaratë thuhet gjithashtu se kontraktori kryesor për këtë marrëveshje do të jetë kompania amerikane Lockheed Martin, duke shtuar se "në këtë shitje nuk përfshihen fonde amerikane".
Në fillim të kësaj jave, Zelensky deklaroi se vendi i tij kishte pritur për gati një muaj që SHBA-ja të miratonte furnizimin me raketa, të cilat janë jetike për mbrojtjen e Ukrainës. (A2 Televizion)