Pak ditë pasi priti presidentin amerikan Donald Trump dhe atë rus Valdimir Putin, lideri kinez Shi Xhinpin, nxori tapetin e kuq për presidentin serb Aleksandër Vuçiç, në një vizitë që konfirmon afrimin e mëtejshëm të Kinës dhe Serbisë. Edhe Vuçiçit ju rezervua një ceremoni mirëseardhje që përfshinte fëmijë, nderime ushtarake dhe flamujt e të dyja vendeve.
Në deklaratën e tij, Vuçiç e quajti Xi Jinping “mik të sinqertë të Serbisë” dhe tha se pritja madhështore është një konfirmim i miqësisë së fortë të 2 vendeve, por edhe një mundësi e jashtëzakonshme për të hapur dyer të reja për ekonominë serbe. Ai theksoi se Serbia “është e vogël në madhësi, por e madhe në reputacion dhe në miqtë që ka në botë”.
Nga ana tjetër, Xi Jinping deklaroi se “sa më e trazuar të bëhet bota, aq më shumë Kina dhe Serbia duhet të qëndrojnë pranë njëra-tjetrës”, duke e cilësuar vizitën si një “moment të ri historik”.
Jinping i dha presidentit serb Urdhrin e Miqësisë, e cili është dekorata më e lartë shtetërore e Republikës Popullore të Kinës për shtetasit e huaj.
“Nuk ka nder e kënaqësi më të madhe”, tha Vuçiç, që shtoi se gati nuk derdhi lot që presidenti kinez ja dha personalisht medaljen. Ai shtoi se Serbia “nuk do ta harrojë kurrë mbështetjen e Kinës”, duke përmendur mbështetjen e Pekinit për çështjen e Kosovës. (A2 Televizion)