Plani “Shënjestra” në duart e BIA-s, togeri serb i policisë pranoi fajësinë për spiunazh

Nga A2 CNN
20 Maj 2026, 11:04 | Ballkani

Serbi Bojan Jevtiç, toger i Policisë së Kosovës në pikën kufitare me Serbinë, pranoi fajësinë për “spiunazh”. Ai u dënua me 6 vite burgim dhe 2 mijë euro gjobë pasi me dashje i ka dhënë dokumente shërbimit sekret serb, përfshirë edhe atë të planit operativ dy ditë pas sulmit në Banjskë.

Serbi Bojan Jevtiç, toger i Policisë së Kosovës dhe shef i sektorit të operativës në stacionin policor te Dheu i Bardhë, pikë kufitare me Serbinë, pranoi fajësinë për “spiunazh” dhe për “armëmbajtje pa leje”.

Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me 6 vite burgim dhe 2 mijë euro gjobë pasi paraprakisht Jevtiç kishte arritur marrëveshje me Prokurorinë Speciale për pranim të fajësisë.

Jevtiç kishte dërguar dokumente dhe materiale të klasifikuara si “konfidenciale” dhe “sekrete” përmes aplikacioneve WhatsApp dhe Telegram tek shërbimi sekret serb i njohur si BIA. Si pikë kontakti, ai e kishte një person të identifikuar si Sasha Çiriç, i njohur me nofkën “Çira” me të cilin ishte takuar edhe personalisht disa herë në Beograd.

Jevtiç kishte dorëzuar edhe dokumente që lidheshin me planin operativ “Shënjestra”, i ndërmarrë dy ditë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

“I pandehuri pa autorizim dhe jashtë kompetencave të tij zyrtare ka siguruar dokumente të tilla përfshirë planin operativ "Shënjestra" të datës 26.09.2023 si dhe materiale të tjera që ndërlidhen me aktivitetet e Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë të cilat më pas i ka vënë në dispozicion duke i transmetuar dhe komunikuar tek përfaqësuesit e shërbimit inteligjent të Serbisë”, tha gjyqtari Kushtrim Shyti.

Para vendimit të gjykatës, Jevtiç duke shprehur pendesë për aktivitetin e tij kërkoi dënim minimal duke shtuar se ka tre fëmijë të mitur për të cilët duhet të kujdeset.

“Kam qenë një qytetar i ndershëm dhe mund të them që asnjëherë as një milingonë nuk e kam shkelur. Si zyrtar policor me ndershmëri e kam kryer punën time. Jam munduar dhe jam angazhuar shumë, që tregon edhe vlerësimet e mia më të larta të cilat i kam marrë në fund të vitit”, tha Bojan Jevtiç spiun i BIA-s.

Gjykata mori vendim edhe për sekuestrimin e një shume parash prej dy milionë dinarë, rreth 7,000 euro dhe 500 franga zvicerane, të cilat Jevtiç dyshohet se i kishte marrë si pagesë për shërbimet e spiunazhit.

“Prokuroria mbetet e përkushtuar në luftimin e këtyre veprave penale dhe çdokush që implikohet në ndërmarrjen e këtyre aktiviteteve që kanë të bëjnë me cenimin juridik të rendit kushtetues dhe ndihmën e shërbimeve të huaja, në këtë rast të Shërbimit Inteligjent serb, do të zbulohen nga Prokuroria Speciale, do të hetohen dhe do të ballafaqohen me drejtësinë, siç ishte edhe rasti i sotshëm”, tha prokurori Bekim Kodraliu.

Serbit Bojan Jevtiç iu ndalua edhe ushtrimi i funksioneve publike për pesë vite pas përfundimit të dënimit meqë u konsiderua se ka keqpërdorur pozitën si toger në Policinë e Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos