Presidenti serb Aleksandër Vuçiç u takua me presidentin kinez Xi Jinping në Pekin dhe pas bisedës ai deklaroi se takimi ishte "i përzemërt dhe i suksesshëm". “Presidenti Xi më ftoi personalisht për një vizitë shtetërore në Kinë në një bisedë të shkurtër. Do të vijmë për një vizitë zyrtare shtetërore në gjashtë muajt e ardhshëm”, tha Vuçiç.
Ai po ashtu u mburr se udhëheqësi kinez e zgjati takimin me 15 minuta shtesë dhe foli jashtë kornizës së protokollit, “gjë që e bën vetëm kur bëhet fjalë për miq”.
Vuçiç tha se i foli Xi-së për historinë e popullit serb dhe rolin e tij në Luftën e Dytë Botërore. "I tregova se si populli serb u ngrit kundër fashizmit në Luftën e Dytë Botërore... Që njerëzit të dinë se populli serb ishte bartës i luftës kundër fashizmit", tha ai.
Presidenti serb shtoi se kanë diskutuar edhe mbi projektet aktuale të infrastrukturës, siç është hapja e hekurudhës Beograd-Suboticë brenda 15 ditësh, e cila, sipas tij, e kënaqi veçanërisht presidentin kinez.
Ai theksoi gjithashtu admirimin e tij për inovacionet teknologjike kineze. "Është e pabesueshme se sa larg kanë arritur, dhe ne po mbetemi prapa. Do të duhet të shohim se si ta përdorim këtë në të ardhmen."
Vuçiç falënderoi Kinën për mbështetjen e saj në "momentet e krizës", nga ndihma për Hekurudhën dhe respiratorët gjatë pandemisë deri te vetoja ndaj rezolutës për Srebrenicën. "Pa Kinën, nuk do të ishim në gjendje të kishim mbështetjen e shumicës së kombeve në botë.”
Presidenti serb dha gjithashtu detaje personale, duke thënë se ishte “përgatitur gjithë natën” për bisedën e tij me Xi-në, si dhe një anekdotë për djalin e tij Vukan, të cilit dëshiron t’i mësojë gjuhën kineze.
Së fundmi, ai theksoi se të gjithë në Kinë e njohin. “Dilni në rrugë këtu, fjala e parë që dëgjoni është ‘Vuçiç’. Stafi i hotelit dëshiron të bëjë një foto me mua”, tha me krenari ai.
Vuçiç njoftoi se televizioni shtetëror kinez CCTV do të transmetonte intervistën e tij gjysmëorëshe dhe e përshkroi vizitën e tij si një sukses të madh për Serbinë. (A2 Televizion)