Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç i quajti sot qesharake pretendimet e kryetares së Parlamentit serb Ana Brnabiç se Kroacia po nxit luftë civile në Serbi.
Të hënën teksa merrte pjesë në panelin e liderëve në Forumin Strategjik të Bledit mbi perspektivat e vendeve kandidate dhe Bashkimit Evropian për t'u përgatitur për zgjerim deri në vitin 2030, Plenkoviç shprehu skepticizëm për situatën në Beograd, duke u shprehur se “Serbia është në prag të luftës civile".
“Mos mendoni se po mbështes një skenar të tillë, thjesht po e përshkruaj ftohtësisht”, theksoi kryeministri pas panelit.
Gjë që nuk e pengoi Kryetaren e Asamblesë Kombëtare të Serbisë, Ana Brnabiç, një nga bashkëpunëtoret më të ngushta të presidentit serb, të akuzonte Kroacinë se “nuk e do Aleksandër Vuçiçin në krye të Serbisë” dhe se “dëshiron dhe po investon në një luftë civile në Serbi”.
Ndërkohë, Pelnkoviç u përgjigj nga Virovitica duke thënë se pretendimet nga Beogradi se Kroacia “dëshiron një skenar të keq për Serbinë është vërtet qesharak”.
Ai përsëriti se Kroacia nuk dëshiron një luftë civile në Serbi, por "se ka njohuri mjaft të drejtpërdrejta për atë që po ndodh me fqinjët" dhe se situata me protestat që kanë vazhduar në Serbi prej dy vitesh "nuk është e zakonshme".
“Kroacia e sheh situatën atje si një fqinj i interesuar, madje i shqetësuar”, tha Plenkoviç më tej.
Ai po ashtu hodhi poshtë pretendimin se komentet e tij ishin ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë. (A2 Televizion)