Mjekët amerikanë në Berat, vizita dhe medikamente falas për qytetarët

Nga Çaku Tafa
16 Maj 2026, 12:30 | Sociale

Mjekët amerikanë në Berat, vizita dhe medikamente falas për

Organizata amerikane “Shpresa e Ripërtërirë”, një agjenci misionare mjekësore, prej disa ditësh ndodhet në qarkun e Beratit, ku po ofron vizita mjekësore falas për qytetarët. E vendosur në ambientet e Bibliotekës “Vexhi Buharaja”, skuadra e mjekëve dhe ndihmësmjekëve është organizuar sipas specialiteteve për të përballuar fluksin e lartë të pacientëve, shkruan A2 CNN.

Në përbërje të stafit janë 2 dentistë, 3 okulistë, 5 mjekë specialistë, 3 mjekë të përgjithshëm dhe 2 mjekë të sëmundjeve të brendshme. Interesi i qytetarëve ka qenë i madh, ndërsa në përfundim të çdo vizite pacientëve u janë shpërndarë falas edhe medikamentet e nevojshme.

“Kjo është hera e tetë që vijmë në Shqipëri dhe hera e parë në qarkun e Beratit. Ne ofrojmë ndihmë mjekësore për njerëzit në nevojë. Në ekip kemi 44 vullnetarë, 43 nga Amerika dhe 1 nga Hondurasi, ndërsa 25 të tjerë janë staf mbështetës nga Shqipëria. Gjysma e skuadrës janë mjekë të specialiteteve të ndryshme dhe pjesa tjetër ndihmësmjekë. Klinikët tona kanë qenë të tejmbushura si në Kuçovë, ashtu edhe në Berat, ku interesi më i madh ka qenë për vizitat okulistike. Kemi kryer EKG, ndërhyrje të caktuara dhe kemi ngritur edhe një farmaci, ku pacientëve u jepen falas medikamentet pas vizitës. Motoja jonë është: ‘Prek zemrën e njeriut që të arrish edhe shpirtin e tij’”, thotë Daniel Jones, mjek organizator.

Pas Beratit, ekipi i misionarëve do të vijojë turin e vizitave edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos