Pak para mbajtjes së protestës masive në mbështetje të studentëve shqiptarë në Shkup, anëtarët e koalicionit VLEN janë takuar me kryeministrin, Hristijan Mickoski. Qeveria e Maqedonisë së Veriut njofton se diskutimi i Mickoskit me Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin u përqendrua te çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës.
“Bashkëbiseduesit u pajtuan se arsimi dhe dija përbëjnë themelin e çdo shteti modern dhe të suksesshëm. Prandaj, institucionet po punojnë aktivisht në gjetjen e zgjidhjeve që do të jenë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve, me qëllim sigurimin e sigurisë juridike dhe funksionalitetit”, thuhet në komunikatën e Qeverisë. Më herët në një postim në rrjetin social Facebook, zëvendëskryeministri i parë siguroi se provimi do të jepet në gjuhën shqipe. “Provimi i jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe! Së shpejti me lajme të mira”, shkruan Izet Mexhiti. (A2 Televizion)