Konferenca e sigurisë në Beograd, dialogu mes paqartësive në një botë mes ndryshimeve gjeopolitike

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2024, 20:18 | Ballkani

Ngecjet dhe mundësitë e humbura në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë u diskutuan në Konferencën e Sigurisë në Beograd dhe rruga përpara që duhet të ndiqet apo veprimet për të zhbllokuar të gjithë procesin 13-vjeçar.

Megjithatë kjo nuk u konsiderua si një gjë e lehtë duke me zhvillimet në botë dhe ndryshimet gjeopolitike, pavarësisht një ujdie të dakorduar vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

“Tani jemi në kulmin e paqartësisë konstruktive dhe po hyjmë në një botë komplet tjetër, në botën gjeopolitike dhe tani është koha të mendohet se çka duhet të bëhet për të zhvilluar këtë nën vështirësitë e reja gjeopolitike”, tha Veton Surroi.

Ish-kryenegociatori serb në dialog, Borko Stefanoviç, deklaroi se Serbia nuk do ta njohë asnjëherë pavarësinë e Kosovës ndërsa pretendoi për shkelje të të drejtave të serbëve në veri.

Ai gjithashtu fajësoi presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin Albin Kurti se e kanë shndërruar procesin në një lojë dhe qëllim i tyre i vetëm është të mbeten në pushtet.

“Përderisa Kosova, të paktën kështu deklarojnë, dhe Serbia duan të hyjnë në Bashkimin Europian, nuk do të arrijnë kurrë atje, sepse ne tani kemi dy elita të korruptuara, kemi dy fytyra të zotërve grekë, Vuçiç dhe Kurti që puthen, ndihmojnë njëri-tjetrin dhe po luajnë së bashku me të gjitha operacionet speciale dhe gjithçka që u nevojitet vetëm për të qëndruar në pushtet”, tha Borko Stefanoviç.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe ishte një tjetër pikë që u prek në panel, me Kosovën që u tha se nuk ka zbatuar asnjëherë këtë pikë të marrëveshjes pasi ka parë se Serbia po shkel në mënyrë të vazhdueshme të gjitha marrëveshjet e tjera.

“Ka më shumë se 30 marrëveshje që janë arritur shumë më përpara se sa marrëveshja për Asociacionit që nuk janë zbatuar dhe shoqëria kosovare ka thënë se pse ne duhet që të zbatojmë këtë marrëveshje e jo marrëveshjen për energjinë që është shumë larg më marrëveshje praktike që prek faturat tona”, u shpreh Jeta Xharra.

Konferenca e Sigurisë në Beograd zhvilloi punimet për tri ditë me radhe pjesëmarrjen e qindra panëlistëve dhe pjesëmarrësve me temë qendrore “Në mbrojtje të njerëzimit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos