Një grup qytetarësh bllokoi për pak kohë trafikun pranë Sheshit të Republikës në Beograd, të martën, më 1 korrik.
Sipas raportimeve të ekipit të Radios Evropa e Lirë në terren në kryeqytetin e Serbisë, për një moment ishte bllokuar rruga Kolarçeva, ndërsa qytetarët e mbledhur kalonin pa pushim nëpër vijat e këmbësorëve.
Me mbërritjen e policisë, trafiku u normalizua.
Policia ndërhyri edhe pranë Fakultetit Juridik, ku më herët ishin vendosur kontejnerë dhe pengesa të tjera në kryqëzimin mes Bulevardit të Mbretit Aleksandër dhe rrugës Beogradska.
Në atë zonë, trafiku ishte ndërprerë që në orët e mëngjesit të së martës, por më pas u rikthye, raportoi ekipi i REL-it.
Pas ndërhyrjes së policisë para Fakultetit Juridik, punëtorët e Ndërmarrjes Publike Komunale larguan barrikadat nga rruga.
Në ditët pas protestës masive të mbajtur në Sllavija më 28 qershor, qytetarët kanë nisur të organizojnë bllokada "mobile” në disa pika të Beogradit dhe në shumë qytete të tjera të Serbisë.
Policia, të dielën në mbrëmje dhe gjatë gjithë ditës së hënë, ka ndërhyrë për të shpërndarë këto bllokada. Disa nga aksionet policore janë shoqëruar me arrestime, ndërsa studentët pjesëmarrës në bllokadë kanë akuzuar policinë për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve.
Në përgjigje, policia ka deklaruar se ka vepruar “në mënyrë tejet profesionale”.
Nga ana tjetër, studentët në bllokadë kanë njoftuar se më 30 qershor, në orët e mëngjesit, janë arrestuar 29 kolegë të tyre.
Në llogaritë e studentëve në rrjetet sociale janë publikuar video të arrestimeve dhe të shpërndarjes së barrikadave, të cilat shoqërohen me akuza se “populli po rrihet dhe po i mohohet liria”, si dhe se “policia po fsheh identitetin dhe po dhunon qytetarët e saj”.
Pamje të arrestimeve, ku shihet përdorimi i forcës nga policia, janë regjistruar pranë Fakultetit Juridik në qendër të Beogradit dhe në rrugën Vojvode Stepe, në lagjen Vozhdovac të Beogradit.
Në një nga këto video, të publikuara në rrjetet sociale, shihet se automjetet policore përplasen drejt protestuesve në rrugën Vojvode Stepe, ndërsa protestuesit largohen me vrap nga rruga./ REL (A2 Televizion)