“Revolucion me ngjyra në Serbi”, Moska përkrah Vuçiç kundër Perëndimit: Faleminderit miqve rusë

Nga Rosalba Bejdo
30 Qershor 2025, 15:18 | Ballkani

Rusia nuk përjashton mundësinë e përdorimit të teknikave të të ashtuquajturave “revolucione me ngjyra” në Serbi, por beson se autoritetet në Beograd do t’ia dalin të rivendosin rendin dhe ligjin. Kur u pyet për tubimin e Vidovdanit në Kosovë dhe trazirat e bllokadat në Serbi, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, tha se Beogradi ishte nën presion të paparë: “Nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që teknologji të njohura po përdoren atje për të provokuar revolucione me ngjyra. Nuk kemi dyshim se udhëheqja aktuale serbe do të jetë në gjendje të vendosë ligjin dhe rendin në republikë në një të ardhme shumë të afërt”.

Më herët, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, paralajmëroi Perëndimin të mos përpiqet të shfrytëzojë trazirat në Serbi për të provokuar një “revolucion me ngjyra” dhe shtoi se Moska shpreson për një zgjidhje paqësore dhe të ligjshme të situatës, shkruan A2 CNN.

Ndërkohë, në një prononcim nga konferenca e OKB-së në Sevilje, presidenti Aleksandar Vuçiç falënderoi “miqtë rusë për mirëkuptimin dhe vlerësimin e tyre të mirë të asaj që po ndodh në Serbi”, ndërsa u zotua se shteti do të bëjë punën e vet: “Kur fola me Presidentin Putin dhe Lavrov, ata e dinin se ky ishte një revolucion me ngjyra. Faleminderit miqve tanë rusë që e vunë re këtë. Faleminderit Sergei Lavrov që e kuptoi kaq mirë dhe faleminderit analistëve të rrallë e të ndershëm rusë që vunë re se Vuçiç do të jetë i vështirë për t’u thyer, se unë nuk jam si ata që do të ikin nga Serbia, por se do të luftoj për lirinë e vendit dhe nuk do ta lë kurrë në mëshirë të fatit”.

Ai shtoi se zgjedhjet në Serbi do të mbahen kur të thirren nga autoritetet kompetente, jo kur ta kërkojë një “bandë huliganësh”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos