Kos paralajmëron Vuçiç: Nëse shkon në paradën e Putinit, pasoja për integrimin në BE

Nga Rosalba Bejdo
30 Prill 2025, 20:12 | Ballkani

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, paralajmëroi Presidentin Aleksandër Vuçiç gjatë vizitës së saj në Beograd, se pjesëmarrja e tij në paradën e 9 majit të Moskës do të kishte pasoja në negociatat për anëtarësim në BE.

Këtë e tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier: “Ajo deklaroi se do të vazhdojë të mbështesë aspiratat e popullit serb drejt BE-së, por se pjesëmarrja e Presidentit Vuçiç në paradën ushtarake në Moskë do të ndikojë te këto përpjekje. Kjo do të ndikojë në lëvizjen drejt anëtarësimit në BE, duke përfshirë negociatat për reformat dhe hapat e mëtejshëm”.

Më herët, Brukseli paralajmëroi udhëheqësit e vendeve kandidate dhe anëtarëve aktualë të bllokut që të mos e vizitonin Moskën me rastin e asaj që në Rusi festohet si dita e fitores ndaj fashizmit. Përgjigjja e Vuçiç ishte se i kishte premtuar Presidentit Vladimir Putin se do qëndronte në Moskë në 9 maj dhe se do ta përmbushte këtë premtim, por pa praninë e përfaqësuesve të Qeverisë dhe Ushtrisë Serbe, në mënyrë që ata të mos ekspozoheshin ndaj rrezikut të sanksioneve.

Sipas gazetës britanike “Telegraph”, pas deklaratës së Vuçiç, zyrtarë të BE e paralajmëruan atë se vizita do të përbënte shkelje të kushteve për anëtarësim në bllok dhe do të cenonte ambiciet e Serbisë drejt BE-së. Në një deklaratë të hënën, shefja e politikës së jashtme të bllokut, Kaja Kallas, tha se çdo pjesëmarrje në paradën e Moskës, nuk do të merret lehtë nga pala europiane, duke pasur parasysh se Rusia po zhvillon vërtet një luftë të madhe në Evropë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos