“Bosnja po shkatërrohet, myslimanët të kthehen në ortodoksë”, Dodik i sulmon të gjithë nga arratia

Nga A2 CNN
29 Prill 2025, 19:27 | Ballkani

“Bosnja po shkatërrohet, myslimanët të kthehen në

Presidenti i Republika Srpska, Milorad Dodik, tha sot nga arratia se vizita në Banjalluka e përfaqësuesit të lartë Kristijan Šmit, të cilin ai e quajti "të paligjshëm" dhe "turist", po e çon Bosnjën dhe Hercegovinën drejt aventurës dhe shpërbërjes.

“Bosnja dhe Hercegovina po shkatërrohet, gjurmët e saj kundërmojnë çnjerëzim, sepse përpjekja për të instrumentalizuar Gjykatën dhe Prokurorinë e Bosnjës dhe Hercegovinës është mënyra më e mirë për të humbur çdo besim, dhe Kuvendi Popullor i Republikës Srpska mori një vendim që ata, së bashku me Agjencinë për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA) dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial (HCPC) të Bosnje Hercegovinës, të mos veprojnë në territorin e Republikës Srpska”, tha Dodik.

Ai përsëriti se këto institucione "nuk parashikohen nga Kushtetuta e Bosnjës dhe Hercegovinës" dhe se Republika Srprska, që ai drejton, është e vendosur të shfuqizojë fuqinë e tyre në territorin e saj.

Ai i akuzoi përfaqësuesit politikë boshnjakë, duke i quajtur myslimanë, se kishin pranuar vendimet e Schmidtit, duke dashur nëpërmjet atyre vendimeve të "të lanin duart me serbët dhe Republikën Srpska”.

Dodik i etiketoi ata si myslimanë dhe shtoi se myslimanët në Bosnjë dhe Hercegovinë "janë të konvertuar, të cilët braktisën besimin e tyre origjinal ortodoks ose katolik dhe u konvertuan në islam".

Dodik deklaroi se zgjidhja për Bosnje dhe Hercegovinën është që "myslimanet të kthehen në besimin e tyre origjinal, ortodoksizmin dhe katolicizmin", pas së cilës, shtoi se "do të konfirmohej se ka shumicën e serbëve në Bosnje".

"Atëherë nuk kemi asgjë kundër që Bosnja të jetë unitare, sepse do të ishte serbe. Përpara kësaj, nuk do të jetë asgjë", tha Dodik, duke deklaruar se kjo ishte përgjigjja e tij ndaj pretendimeve të udhëheqësit të Partisë së Veprimit Demokratik, Bakir Izetbegović, se të gjithë banorët e Bosnjes dikur ishin bogomilë dhe se më vonë disa pranuan ortodoksinë, disa katolicizmin dhe shumica islamin, prandaj Bosnja duhet të jetë unitare.

Duke folur për statusin e distriktit të Brçkos, Dodik tha se ishte dakord që Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës "të marrë pjesën e saj të Brçkos dhe që të bëhet një vijë e qartë ndarëse midis dy entiteteve në atë zonë”.

"Nëse mendoni se mund ta merrni Brçkon, do t'ju them një gjë - sipas regjistrimit të popullsisë, numri më i madh i banorëve të Brçkos janë serbë. Kontrolloni, si keni ndërmend t'i transferoni ata në Federatë...", tha Dodik.

Ai vazhdoi duke thënë se sovraniteti i brendshëm në Bosnje i takon entiteteve – Republikës Srpska dhe Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, ndërsa në kuptimin juridik ndërkombëtar "termi që Bosnja është shtet mund të përdoret".

Nuk ka asgjë shtetërore në Bosnje dhe Hercegovinë. Ata ndryshuan thelbin e Marrëveshjes së Dejtonit dhe për këtë arsye është e nevojshme që Serbia të monitorojë situatën”, tha Dodik, duke njoftuar se qeveria e Republikës Srpska do t'i kërkojë përsëri Serbisë të ngrejë çështjen e tyre dhe pozicionin e saj në Marrëveshjen e Dejtonit në Asamblenë e saj Kombëtare.

Ai falënderoi Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për deklaratën e tij se "Republika Srpska është nën sulm", duke vlerësuar se ata janë "sulmuar nga brenda nga opozita e pabesë dhe nga jashtë nga Bakir Izetbegoviç dhe anëtari boshnjak i Presidencës së Bosnjes, Denis Beqiroviç, britanikët, gjermanët dhe të huaj të ndryshëm keqdashës".

Dodik sulmoi sakaq Komisioneren Europiane për Politikën e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Marta Kos, e cila tha se "pika e ndritshme në Republikën Srpska është opozita". Ai deklaroi se BE-ja “nuk duhet të kishte zgjedhur persona të tillë në pozicionin e Komisioneres".

"Ajo nuk është intelektualisht e talentuar për të bërë përshtypje dhe mosha mund të bëjë gjithçka. Nuk dua ta fyej, por gjithashtu nuk dua që ata të fyejnë inteligjencën tonë kur bëjnë shaka këtu", tha Dodik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos