Rasti i parë në Greqi, shteti dëmshpërblen 40-vjeçarin që u paralizua pas vaksinës anti-Covid

Nga A2 CNN
30 Prill 2025, 14:03 | Ballkani

Në Greqi është regjistruar rasti i parë i dëmshpërblimit të një personi që ka mbetur viktimë i efekteve anësore të një vaksine për Covid-19.

Mediat në vend raportojnë se Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Athinë dëmshpërbleu të hënën me një shumë parash prej 50.000 euro një 40-vjeçar, i cili pasi u vaksinua me AstraZeneca, u sëmur me sindromën Guillain-Barré.

Bëhet fjalë për një sindromë të rrallë neurologjike e cila bën që sistemi imunitar të sulmojë nervat, duke shkaktuar kështu paralizë dhe mpire. Paraliza ndodh kryesisht në krahë dhe këmbë.

Në rastet më të rënda, ata që paralizohen janë muskujt respiratorë duke bërë që i pacienti të ketë nevojë për kujdes intensiv.

Për rastin konkret, mediat në vendin fqinj raportojnë se “qytetari mbeti në gjendje vegjetative dhe aktualisht ndodhet në një karrige me rrota.”

Ai e çoi çështjen në gjykatë me ndërmjetësimin e një firme ligjore. Kallëzimi u bë më 22 korrik të vitit 2022 dhe vendimi u mor më 17 prill të këtij viti.

Në vendimin e saj, gjykata arsyeton se “shteti grek nuk arriti që të mbronte qytetarin e tij nga efektet anësore të vaksinës.”

Ndër të tjera, në arsyetim thuhet:

"Shfaqja e efekteve anësore serioze nga një vaksinë, konkretisht kundër koronavirusit, Covid-19, përbën dëm të veçantë dhe domethënës që tejkalon për viktimën kufirin e arsyeshëm të tolerancës dhe solidaritetit që Shteti ka të drejtë të kërkojë nga qytetarët për hir të interesit të përgjithshëm të shoqërisë në tërësi dhe parimit të solidaritetit shoqëror sipas nenit 25, paragrafi 4 të Kushtetutës."

Ajo që ka tërhequr vëmendjen është fakti që ndaj kompanisë që ka prodhuar vaksinën nuk është vendosur asnjë detyrim për të kryer kompensim, por e gjithë fatura i shkon shtetit grek.

Me fjalë të tjera, shtetit grek i takon të dëmshpërblejë personat që janë dëmtuar nga vaksinat, pasi shteti në atë kohë bërjen e vaksinave anti-Covid e ktheu në një detyrim.

Ndërkohë, 40-vjeçar ka mbetur i pakënaqur dhe do të kërkojë rishikim të çështjes pasi beson se për dëmin që iu shkaktua shëndetit të tij duhen të paktën 100 mijë euro kompensim.

Sipas raportimeve, mijëra qytetarë në Britaninë e Madhe kanë nisur procedurat për dëmshpërblim që në 2024 dhe kërkojnë që shteti t’i kompensojë për dëmet që u erdhën nga vaksinimi kundër koronavirusin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos