Nga Odesa në samitin Ukrainë - Evropë Juglindore, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç nuk ka lënë pa përmendur Kosovën, duke u shprehur i lumtur që nuk pati asnjë përfaqësues të Prishtinës zyrtare të pranishëm.
Vuçiç tha për mediat serbe se sot në Odessa pati takime shumë të suksesshme dhe se e falënderoi Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky për respektimin e plotë të Kartës së OKB-së dhe integritetit territorial të Serbisë, si dhe për faktin se nuk kishte ftuar përfaqësues nga Prishtina për të marrë pjesë.
“Ky është një gjest i madh ndaj vendit tonë”, u mburr Vuçiç dhe tha se Serbia do ta vlerësojë sa më shumë që të jetë e mundur.
“Kemi pasur takime shumë të suksesshme këtu në Odessa. Është hera e katërt që marr pjesë në samitin e Evropës Juglindore-Ukrainës dhe hera e parë në territorin ukrainas. I falënderova mikpritësit tanë ukrainas, Presidentin Zelensky, për respektimin e plotë të Kartës së OKB-së, integritetit territorial të Serbisë. Dhe nuk kishte asnjë përfaqësues të Prishtinës”, tha Presidenti serb.
Ai më tej sqaroi edhe se nuk e firmosi deklaratën e përbashkët të Samitit që dënonte Rusinë.
“Tani, nuk mundëm, deklarata që u miratua nuk ishte e lehtë dhe e thjeshtë për ne dhe kjo është arsyeja pse abstenova dhe pse emri im dhe Serbia nuk janë midis nënshkruesve të deklaratës, por dua të shpreh edhe një herë mirënjohjen time të plotë ndaj Presidentit Zelenski për mikpritjen e jashtëzakonshme këtu në Odessa”, shtoi Vuçiç.
Sipas Vuçiç ai zgjodhi që të mos kryente një akt tradhtie ndaj Moskës. Vuçiç u tregua po ashtu i ashpër nga mediave opozitare në Serbi, që herë tha se e kritikojnë atë si agjent rus, herë si ukrainas.
"Dhe çfarë, kë tradhtova? Rusinë? Me çfarë? Duke ardhur në samit, kjo është hera ime e katërt në samitin e Evropës Juglindore dhe Ukrainës, dhe unë jam përsëri i vetmi që nuk e pranova deklaratën. Ndryshe nga ata që do të pranonin gjithçka kundër Rusisë, gjithçka që munden. Por kjo tregon për shkatërrimin e tyre të plotë. Për faktin se ata nuk dinë më çfarë duan. Edhe kur mbroj interesat tona, dhe duke mbrojtur tonat, gjithmonë janë pjesërisht interesa ruse, si dhe ukrainase. Sepse ne mbrojmë interesat e së drejtës publike ndërkombëtare. Dhe gjithmonë të udhëhequr nga interesat tona. Kur nuk ke argumente, atëherë nuk të mbetet gjë tjetër veçse të shpresosh se do të arrish diçka me gënjeshtra. Në fund, rezultatet janë gjithmonë të njëjta. Gënjeshtrat kanë këmbë të shkurtra. Jam krenar për politikën e Serbisë, për pavarësinë tonë dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë", tha Vuçiç. (A2 Televizion)