Ministri i Jashtëm malazez: Rubio viziton këtë vit Ballkanin Perëndimor

Nga Rosalba Bejdo
4 Prill 2025, 21:12 | Ballkani

Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, ka planifikuar një vizitë në Ballkanin Perëndimor gjatë këtij viti. Njoftimin e dha të premten ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviç, shkruan A2.

Ibrahimoviç u takua me Rubion në ditën e parë të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel.

“Sekretari Rubio ndau planet për vizitë në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Malin e Zi, e cila do të jetë një mundësi e vlefshme për thellimin e marrëdhënieve strategjike dhe për të riafirmuar angazhimin për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe”, tha Ministria e Punëve të Jashtme malazeze në rrjetin social X. 

Në Bruksel po mbahet një takim dyditor i ministrave të Jashtëm të NATO-s, ku ndër të tjera, do të vendoset nëse vendet anëtare do t’i rrisin shpenzimet për mbrojtje nga minimumi i tanishëm prej 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos