Opozita në Serbi zhvilloi protestën e shtatë anti-qeveritare me radhë, më të dhunshmen ndonjëherë. Zemërimi i pjesëmarrësve vjen mes akuzave për vjedhje të zgjedhjeve në Beograd nga ana e partisë së presidentit Aleksandër Vuçiç.
Gjithçka nisi qetë, por përfundoi në dhunë. Demonstruesit u përleshen me policinë gjatë përpjekjes së tyre për të hyrë në godinën e bashkisë së Beogradit.
Policia ndërhyri duke lëshuar sasi të shumta të gazit lotsjellës, por edhe duke përdorur dhunë të tepruar, sipas liderëve të opozitës serbe. Gjatë përleshjeve, forcat e rendit kanë arrestuar 35 persona me akuzën e sulmit ndaj institucioneve.
Raportohet se efektivë të ndryshëm kanë mbetur të lënduar. Koalicioni "Serbia kundër dhunës” dyshon se agjentë sekretë, që luajtën rolin e provokatorëve, janë përfshirë në thyerjen e xhamave të bashkisë, duke shkaktuar ndërhyrjen e policisë.
Kërkesat e opozitës janë që Vuçiç të dorëzojë pushtetin në mënyrë paqësore. Por duket se presidenti serb nuk ka ndërmend të marrë parasysh pakënaqësitë apo kërkesën për përsëritjen e zgjedhjeve.
Vuçiç mbajti një takim urgjent të Këshillit për sigurinë kombëtare duke paralajmëruar se edhe më shumë persona të tjerë mund të arrestoheshin.
Vuçiç pretendon se ka dëshmitarë që janë të gatshëm të thonë se gjithçka ishte e përgatitur dhe se ishte një skenar për marrjen e pushtetit me dhunë.
Ka pasur dhe zyrtarë nga Partia Progresiste Serbe në pushtet që e krahasojnë atë që ndodhi në Beograd me revoltën e 2014-ës në Kiev, që ndryshuan kursin nga pro Rusisë në pro Europës. (A2 Televizion)