Pamje apokaliptike nga zjarret në Greqi, shkrumbohet parkingu me qindra makina

Nga A2 CNN
13 Gusht 2025, 19:43 | Ballkani

Situata nga zjarret paraqitet tepër e rëndë edhe në fqinjin tonë jugor, Greqinë. Vatra të mëdha vazhdojnë të jenë aktive në Akai, Prevezë, Zakinthos, Kios dhe Kefalonia, me ekipe zjarrfikëse dhe vullnetarë që luftojnë prej mbrëmjes së djeshme me flakët mes erërave të forta.

Por qyteti më i rrezikuar nga flakët duket se momentalisht është Patra. Qindra zjarrfikës janë duke punuar në këtë zonë për të kryer evakuime. Orët e fundit është evakuuar nga autoritetet helene spitali i fëmijëve Karamandaneio dhe shtëpia e të moshuarve Konstantopoulio në Patra, pasi zjarri rrezikonte seriozisht jetët e njerëzve.

Zjarri ende nuk është shuar pranë zonave të banuara dhe në Sychena të Patrës 57 zjarrfikës, 7 avionë dhe 5 helikopterë po punojnë për ta shuar atë. Sakaq, pamje apokaliptike nga Akai janë duke bërë xhiron e rrjetit. Aty flakëve nuk u ka shpëtuar parkingu i Doganës së Patras dhe në vlerësimet fillestare, 550 makina u dogjën plotësisht.

Nga këto, më shumë se gjysma e kishin përfunduar ciklin e tyre jetësor, domethënë, ato nuk mund të shiteshin në ankand si automjete normale. Vërehet se zona e hapur ishte shpyllëzuar në qershor, bazuar në dispozitat e legjislacionit përkatës.

Drejtori i doganës, George Pitsilis, ka dhënë tashmë urdhra që sapo temperatura të bjerë në nivele operacionale, pasi tani është shumë e lartë për shkak të nxehtësisë së çliruar nga fletët metalike, do të bëhet një regjistrim i plotë i dëmit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos