Vendimi i gjykatës së Bosnjës: Dodik nuk është më President i Republikës Sërpska

Nga A2 CNN
18 Gusht 2025, 18:29 | Ballkani

Vendimi i gjykatës së Bosnjës: Dodik nuk është më

Presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i ka përfunduar zyrtarisht mandati, pasi Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës hodhi poshtë ankesën e avokatit të tij ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Bosnje dhe Hercegovinës, me të cilin atij i hiqet mandati për këtë funksion. Vendimi i Gjykatës është përfundimtar, sipas njoftimit të këtij institucioni gjyqësor më 18 gusht.

Sipas Ligjit Zgjedhor të Bosnje dhe Hercegovinës, KQZ-ja duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme për presidentin e Republikës Sërpska, të cilat duhet të mbahen brenda 90 ditësh. Mandati i presidentit të zgjedhur në këto zgjedhje do të zgjasë deri në zgjedhjet e përgjithshme, të planifikuara për në tetor të vitit të ardhshëm.

Më herët, KQZ-ja e Bosnje dhe Hercegovinës mori vendim për t’i hequr mandatin Dodikut, pasi Gjykata e këtij vendi, në fillim të gushtit, njoftoi se ai është dënuar me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të funksioneve publike në Bosnje dhe Hercegovinë, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos