Bosnjë, jep dorëheqjen kryeministri i Republikës Sërpska

Nga A2 CNN
18 Gusht 2025, 12:55 | Ballkani

Bosnjë, jep dorëheqjen kryeministri i Republikës Sërpska

Radovan Vishkoviç, kryeministër i entitetit të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, dha dorëheqje nga posti i tij të hënën, më 18 gusht.

Ai është anëtar i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur, të udhëhequr nga Millorad Dodik.

Vishkoviç ishte në krye të Qeverisë së Republikës Sërpska që nga viti 2018, ndërsa mandatin e tij opozita shpesh e ka kritikuar për mënyrën e menaxhimit të resurseve të entitetit, për dhe qasjen ndaj institucioneve të Bosnje e Hercegovinës.

Që nga korriku i vitit 2023, Vishkoviç gjendet në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të kërcënimeve ndaj Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, dhe cenimit të sovranitetit të Bosnje e Hercegovinës.

Siç pati bërë të ditur atëherë Departamenti amerikan i Thesarit, Vishkoviq është një nga udhëheqësit në RS, i cili mban përgjegjësi “për nxitjen e miratimit të ligjeve në Kuvendin Popullor të Republikës Sërpska, me të cilat vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës shpallen të pazbatueshme në RS, duke penguar dhe rrezikuar kështu zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit”.

Këto sanksione përfshijnë ndalimin e hyrjes në SHBA dhe ngrirjen e pasurisë që gjendet nën juridiksionin e tyre.

Vishkoviç është gjithashtu një nga të dyshuarit në hetimin e Prokurorisë së Bosnje e Hercegovinës për veprën penale të sulmit ndaj rendit kushtetues.

Për të njëjtën vepër akuzohen edhe Dodik, president i Republikës Sërpska, si dhe Nenad Stevandiç, kryetar i parlamentit të entitetit./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos