Një stuhi e fuqishme ka goditur pasdite zonën e Maoçit, në Bosnje-Hercegovinë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe panik mes banorëve.
Sipas raportimeve nga terreni, era e fortë dhe reshjet intensive zgjatën vetëm disa minuta, por mjaftuan për të rrëzuar pemë, dëmtuar çati dhe copëtuar pjesë të infrastrukturës lokale.
Pamje të rënda të publikuara në rrjetet sociale tregojnë dëmet nëpër rrugë dhe oborre, ku mobilie, llamarina dhe copa çatie janë shpërndarë në mënyrë kaotike.
Stuhia nuk kurseu as qytetin e Bihaçit, ku reshje të dendura shiu dhe erëra të fuqishme kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë dhe bllokim të përkohshëm të disa rrugëve. Automjete të dëmtuara, degë të thërrmuara dhe shi horizontal karakterizuan motin ekstrem në këtë pjesë të veriperëndimit të vendit.
Meteorologët paralajmërojnë se stuhitë e tilla pritet të vazhdojnë edhe gjatë orëve në vijim, të ndikuara nga përplasja mes masave të ajrit të nxehtë dhe të ftohtë që po qarkullojnë mbi Ballkan. Përveç erës dhe shiut, rreziku nga rrufe, breshër dhe përmbytje mbetet i lartë.
Autoritetet vendase u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qëndrojnë në ambiente të sigurta derisa moti të stabilizohet. Ekipet e emergjencës janë tashmë në terren për të vlerësuar dëmet dhe për të ndihmuar në pastrimin e rrugëve dhe mbështetjen e banorëve të prekur. (A2 Televizion)