Përfundon pa përparim raundi i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel

Nga A2 CNN
11 Shtator 2025, 18:47 | Ballkani

Përfundon pa përparim raundi i dialogut Kosovë-Serbi në

Rundi i ri i dialogut për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel ka përfuduar pa ndonjë përparim, me Kosovën që ka insistuar në zbatimin në tërësi të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq Serbia ka kërkuar që fillimisht të zbatohet pjesa që ka të bëjë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha pas takimit me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, dhe emisarin evropian, Peter Sorensen, se ka insistuar që të zbatohet veçmas çështja që ka të bëjë me komisionet për të pagjeturit.

“Ideja sot ishte të kemi fillimisht progres në themelimin e komisionit të përbashkët për personat e zhdukur me forcë dhe pastaj në pjesën tjetër të kemi një takim, ku palët – Kosova dhe Serbia – japin propozime konkrete, sipas të cilave pastaj, versioni i dhjetë i planit të sekuencimit do të mund të bëhej një plan i pranueshëm për palët”, tha Bislimi për gazetarët në Bruksel.

Por, Bislimi tha se nuk u arritur që të themelohet një komision për të pagjeturit për shkak se Serbia me gjasë "është tërhequr nga marrëveshja për termat e referencës të cilën e kemi përfunduar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, duke thënë se ata duan që edhe një herë të ndërhyjnë në dokument, gjë që nuk është pranuar nga Brukseli dhe as nga pala jonë".

Komisioni për të pagjeturit është pjesë e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2023, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Më 17 dhjetor 2024, Kosova dhe Serbia u pajtuan që ta zbatonin këtë deklaratë.

Bislimi tha se për pikën tjetër të diskutimeve, Kosova ka ofruar tri propozime, por Serbia ka kërkuar që Asociacioni të themelohet fillimisht.

“Ato kishin të bëjnë me sigurimin që nenet 1 deri 4 të jenë të përfshira të marrëveshjes bazike, pasi kështu garantohet plotësimi i një neni të aneksit që thotë palët dakordohen apo përkushtohen për zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike. Kemi kërkuar që obligimi i Serbisë për të mos e bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare të zhvendoset nga fundi i planit në krye të planit. Kemi kërkuar që përmes gjuhës më precize të eliminohet çfarëdo mundësie për ambiguitet apo dykuptimësi. Ndërkohë që Serbia ka refuzuar të japë propozime konkrete. Por, pozicioni i Serbisë mund të përkthehet si shumë thjeshtë, së pari Asociacioni parakusht e pastaj vijat e kuqe të Serbisë, që nënkupton se në fakt Serbia është tërhequr nga marrëveshja bazike ose refuzon të diskutojë marrëveshjen bazike”, u shpreh Bislimi.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, më 2023. Edhe pse marrëveshja nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian këmbëngul se ajo është obligative për të dyja palët.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Sipas kryenegociatorit të Kosovës, Serbia ndali diskutimet kur ai shtroi temën e bllokimit të shpërndarjes së mjeteve nga Qeveria e Kosovës për fermerët në Luginë të Preshevës.

Petkoviq: Insistuam në Asociacion

Pas bisedimeve, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se ka insistuar në themelimin e Asociacionit. Sipas tij, Kosova nuk është e interesuar që të themelohet një asociacion i tillë, duke shtuar se Bislimi nuk dëshironte të përgjigjej nëse do të pranojë propozimin evropian për statutin e Asociacionit.

“Nëse nuk ka Asociacion, atëherë ngrihet çështja e mbijetesës së popullit serb në Kosovë. Kjo, për ne është çështje humanitare sepse populli serb më nuk mund t’i bëjë ballë terrorit që po përjeton nga politikat e [kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin] Kurtit. Këtë ia thash qartë zotit Bislimi”, theksoi Petkoviç.

Kryenegociatori serb tha se në takimin trepalësh ai insistoi që të nisin bisedime konkrete për statutin e Asociacionit, por sërish fajësoi Kosovën se nuk është e interesuar që ky asociacion të themelohet.

Ndërkaq, sa i përket personave të pagjetur, Petkoviq tha se “ne jemi të përkushtuar që kjo çështje të zgjidhet, fillimisht për shkak të familjarëve që po presin më shumë se 20 vjet për të kuptuar të vërtetën e plotë lidhur me të dashurit e tyre”.

Përveç takimit trepalësh, Bislimi dhe Petkoviq më herët gjatë ditës kanë zhvilluar takime të ndara me ndërmjetësin evropian, Sorensen.

LDK kundërshton pjesëmarrjen e Bislimit në dialog

Lidhja Demokratike e Kosovës – parti që në zgjedhjet e shkurtit doli e treta – ka kritikuar vendimin e Qeverisë në detyrë të Kosovës për të dërguar Bislimin në Bruksel për dialogun me Serbinë, duke e vlerësuar si vendim “të pajustifikuar dhe pa asnjë legjitimitet qytetar e institucional”.

“Përfaqësimi në dialog mund të bazohet vetëm mbi institucione legjitime të dala nga zgjedhjet dhe të mbështetura nga sovrani”, tha LDK-ja.

Që nga zgjedhjet e shkurtit, vendi ende nuk ka arritur të krijojë një ekzekutiv të ri, pasi asnjëra parti nuk ka fituar vota të mjaftueshme për të krijuar vetë institucione, teksa nuk ka ende ndonjë marrëveshje mes partive për krijimin e Qeverisë së re.

“Dialogu me Serbinë është proces i ndjeshëm që përcakton të ardhmen e shtetit tonë. Ky proces nuk mund të reduktohet në vendime të njëanshme të një qeverie në detyrë, e cila nuk gëzon më besimin qytetar dhe as shumicën e nevojshme për të marrë përgjegjësi të këtij niveli. Veprime të tilla dëmtojnë kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe rrezikojnë ta cenojnë rrugën tonë euroatlantike”, tha LDK-ja përmes një njoftimi për media.

Pas bisedimeve në Bruksel, Bislimi e quajti "budallallëk" këtë reagim të LDK-së, duke thënë se ai është zëvendëskryeministër në detyrë, i ngarkuar edhe për temën e dialogut.

"Mandatin ma ka dhënë Qeveria e mundet të ma marrë qeveria", tha ai.

Rundi i ri i dialogut në nivel të kryenegociatorëve u zhvillua pasi ndërmjetësi evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, qëndroi në Kosovë dhe Serbi në muajin gusht.

Në Kosovë ai bisedoi me udhëheqësit shtetërorë për, siç deklaroi, zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve, e njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi pas takimit me Sorensenin në Beograd se është thelbësore që dialogu me Kosovën të “kthehet tek obligimi” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe te mbrojtja e të drejtave të serbëve.

Për themelimin e këtij asociacioni, palët janë pajtuar përmes dy marrëveshjeve në kuadër të dialogut, më 2013 dhe 2015.

Një draft-statut i hartuar për këtë asociacion nga BE-ja nuk është dërguar ende në Gjykatën Kushtetuese për interpretim nga Qeveria në detyrë e Kosovës. Një veprim i tillë do të shënonte hapin e parë drejt krijimit të Asociacionit.

Ndryshe, ndonëse takime të nivelit të kryenegociatorëve janë mbajtur, në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë takim i nivelit të lartë që nga shtatori i vitit 2023. Ai takim, ishte zhvilluar disa ditë para se një grup i serbëve të armatosur të sulmonte Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter.

Për këtë ngjarje, Kosova fajëson Serbinë, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

Më 10 qershor, pas një takimi mes kryenegociatorëve, Sorensen paralajmëroi se po bëheshin përgatitje për një takim të ri të nivelit të lartë./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos