“Koreja e Veriut në sytë e një shqiptari”, koloneli Dritan Demiraj depërton në bunkerin më enigmatik në botë

Nga A2 CNN
15 Maj 2026, 18:28 | Aktualitet

“Gjeopolitika e Koresë së Veriut”, ky është libri i fundit i sjellë nga koloneli Dritan Demiraj, si një analizë e thelluar e të shkuarës, së tashmës dhe të ardhmes së këtij vendi.

Me 60 libra në portofolin e karrierës së tij në fushën e sigurisë, terrorizmit, kundër-terrorizmit, gjeopolitikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Demiraj ofron pikëpamjen e tij mbi një nga regjimet më të mbyllura dhe më enigmatike në botë.

Libri vjen si një studim mbi evolucionin politik, ushtarak, ekonomik dhe strategjik të Phenianit, duke hulumtuar jo vetëm në historinë e shtetit koreanoverior, por edhe rolin që ai po luan sot në rendin e ri global.

Në këtë botim të fundit, ai përpiqet të “depërtojë” në atë që e cilëson si “bunkeri totalitar” i Koresë së Veriut, duke ofruar një këndvështrim të detajuar mbi mënyrën se si funksionon regjimi i Kim Jong Un-it.

Në libër trajtohen programi bërthamor i Phenianit, zhvillimi i raketave balistike ndërkontinentale, aleanca me Federatën Ruse, Kinën dhe Iranin, si dhe mënyrat alternative me të cilat regjimi financon ekonominë dhe ushtrinë e tij.

Autori ndalet edhe te lufta kibernetike, rrjetet e hakerëve të Koresë së Veriut dhe përdorimi i operacioneve të fshehta si instrument strategjik përballë Perëndimit.
Sipas Demirajt, Koreja e Veriut ka investuar për dekada në ndërtimin e një kapaciteti ushtarak deterrent, duke e kthyer armën bërthamore në garancinë kryesore të mbijetesës së regjimit.

Në analizën e tij, ai argumenton se pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare, Pheniani ka arritur të ruajë dhe të avancojë programin e tij ushtarak falë aleancave strategjike dhe ekonomisë paralele.

Libri sjell gjithashtu detaje mbi strukturat sekrete të regjimit, rekrutimin e ekspertëve të luftës kibernetike, si dhe aktivitetet ilegale që sipas autorit përdoren për financimin e shtetit, nga trafiku i armëve e deri te vjedhjet e kriptomonedhave.

Që në krye të këtij libri, Demiraj thekson se ndryshimet gjeopolitike pas vitit 2021 dhe krijimi i aleancave të reja globale kanë rritur ndjeshëm rëndësinë strategjike të Koresë së Veriut.

Sipas tij, Pheniani nuk duhet parë më si një shtet i izoluar periferik, por si një aktor që po ndikon drejtpërdrejt në ekuilibrat e sigurisë globale.

Ky libër vjen pas një experience të gjatë të Demirajt në fushën e sigurisë ku më herët ai ka mbajtur postin e ministrit të Brendshëm si dhe ka një karrierë të gjatë ushtarake e akademike, me specializime në SHBA dhe në strukturat e NATO-s.

Ai është dekoruar ndër vite me dhjetëra medalje dhe vlerësime kombëtare e ndërkombëtare për kontributin në fushën e mbrojtjes.

“Gjeopolitika e Koresë së Veriut” vjen si një përpjekje për të kuptuar jo vetëm mekanizmat e regjimit më të izoluar në botë, por edhe rreziqet dhe sfidat që ai paraqet për rendin ndërkombëtar në dekadat e ardhshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos