Më 8 maj, qytetarët në Maqedoni të Veriut nuk zgjedhin vetëm presidentin dhe deputetët e rinj, por përcaktojnë edhe rrugën drejt Bashkimit Europian.
Kështu mendojnë analistët në Shkup, që për A2 CNN shprehin shqetësimin e tyre për rritjen e mbështetjes për opozitën e VMRO-DPMNE.
Fitim Kryeziu duke analizuar rezultatin e raundit të parë, thekson se kjo sinjalizon një rrezik për integrimin e vendit në BE.
Ndryshimi i pushtetit në Maqedoni të Veriut mund të sjellë dilema edhe për të drejtat e shqiptarëve. Analisti këshillon që politika shqiptare të koordinohet për të mos lejuar që vota të mos kushtëzohet pa kërkesa konkrete.
Këto zgjedhje konsiderohen të rëndësishme, pasi popullit po i kërkohet të votojë për të garantuar një mazhorancë të madhe që do të mundësonte ndryshimet kushtetuese, gjë e cila do të sillte dhe hapjen e kapitujve të parë të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Por nëse fiton VMRO-DPMNE, ngërçi mund të thellohet pasi refuzon zgjidhjen e pranuar për sheshimin e problemeve me Bullgarinë. (A2 Televizion)