Pushteti dhe opozita shpallin fitore në Kosjeriq dhe Zajeçar të Serbisë

Nga A2 CNN
9 Qershor 2025, 06:52 | Ballkani

Pushteti dhe opozita shpallin fitore në Kosjeriq dhe Zajeçar të

Pushteti dhe opozita kanë shpallur fitore në Kosjeriq, komunë në perëndim të Serbisë, dhe Zajeçar, komunë në jug të shtetit, në zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën në këto dy komuna.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka pretenduar fitore, duke thënë se partia që ka themeluar, Partia Përparimtare Serbe, ka fituar bindshëm në Zajeçar, ndërsa në Kosjeriq rezultati është i ngushtë, por edhe aty partia e tij ka shënuar fitore.

Në të dyja këto komuna, prej vitesh, është në pushtet Partia Përparimtare Serbe.

Përfaqësuesit e listës “Të bashkuar për Kosjeriqin” kanë thënë se janë duke udhëhequr, sipas të dhënave nga 27 prej 29 qendrave të votimit.

“Kjo gjë e vogël ka nisur në Kosjeriq, por le të vazhdojë përparimi në çdo vend”, ka thënë Sllavica Pantoviq, e dyta në listën “Të bashkuar për Kosjeriqin” dhe kandidate për kryetare të komunës.

Përfaqësuesit e opozitës në Zajeçar kanë thënë se qyteti është i lirë prej sonte.

“E kam ëndërruar këtë moment për 13 vjet dhe pas 13 vjetësh ka ndodhur në Zajeçar”, ka thënë një përfaqësues i opozitës.

Zgjedhjet lokale në Kosjeriq dhe Zajeçar, komunë në jug të shtetit, janë testi i parë zgjedhor për Qeverinë prej nisjes së bllokadave të studentëve nëpër fakultete, në nëntor të viti 2024, të nxitura nga vdekja e 16 personave, si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

Deri në orën 19:00 kanë votuar 82 për qind e votuesve në Kosjeriq, dhe 59.6 për qind në Zajeçar, sipas misionit vëzhgues Qendra për Kërkim, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA).

Mbështetësit e listës opozitare “Të bashkuar për Kosjeriqin”, janë mbledhur para ndërtesës komunale ku janë duke u numëruar votat. Ata janë dëgjuar duke bërtitur “Fitore” dhe “U krye çdo gjë”.

Edhe banorët e Zajeçarit kanë dalë në qendër, në pritje të rezultateve zgjedhore.

Ministria për Punë të Brendshme e Serbisë ka thënë gjatë ditës se në disa qendra votimi në Kosjeriq “ka pasur tentime për të bllokuar ilegalisht qendrën e votimit, dhe për të penguar procesin zgjedhor”, mirëpo që “ato janë shmangur në përputhje me ligjin”.

“Zyrtarët policorë nga stacioni policor në Kosjeriq janë duke vepruar pas raportimeve nga presidenti i Komisionit të Zgjedhjeve se në qendrën e votimit 22, në fshatin Dërmanovina, vëzhguesi Veselin Ristanoviq, duke përfaqësur listën ‘Të bashkuar për Kosjeriqin’ e ka djegur listën e votimit për personat që mund të votojnë nga shtëpitë. Policia është duke punuar në këtë rast”, është thënë në deklaratën policore pasditen e së dielës.

Qendra për Kërkim, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA) ka thënë se ka raportuar në polici se disa vëzhgues të organizatës në Kosjeriq kanë pranuar kërcënime dhe provokime përmes thirrjeve telefonike. REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos