Trump kërkon nga Serbia dhe vendet e Ballkanit të pranojnë emigrantë

Nga A2 CNN
5 Qershor 2025, 14:17 | Ballkani

Administrata e Donald Trump po ushtron presion ndaj Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit që të pranojnë emigrantë të deportuar nga Shtetet e Bashkuara, raportoi “Bloomberg” të enjten, sipas burimeve të afërta me çështjen. Këto përpjekje janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të gjetur vende të gatshme të pranojnë persona të larguar nga SHBA, përfshirë edhe ata që kishin hyrë me mbrojtje të dhënë gjatë presidencës Biden, shkruan A2 CNN.

Burimet thanë se zyra rajonale e Departamentit të Shtetit është ngarkuar të promovojë këtë ide në vendet e Ballkanit. Nuk është ende e qartë nëse është arritur ndonjë marrëveshje konkrete. Serbia, që nuk ishte përmendur më parë si destinacion i mundshëm, tani del në skenë, veçanërisht për shkak të lidhjeve të saj me familjen Trump.

Në Beograd është planifikuar ndërtimi i një Trump Tower nga një firmë investimesh bashkëthemeluar nga Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit Trump. Projekti do të përdorë markën e Trump Organization, e cila aktualisht drejtohet nga djemtë e tij, Eric dhe Donald Trump Jr. Ky i fundit ka vizituar Serbinë disa herë dhe në prill të këtij viti darkoi me Presidentin Aleksandar Vuçiç.

Vuçiç është një simpatizues i njohur i Trump dhe ka ruajtur marrëdhënie të ngushta me figurat kryesore të kampit MAGA. Ndërkaq, administrata Trump po shqyrton edhe vende të tjera në Ballkan, si Kosova, për vendosjen e emigrantëve të deportuar.

Ndërkohë, administrata Trump ka përdorur një ligj të kohës së luftës për të justifikuar dëbimet, duke i etiketuar disa emigrantë si "armiq të huaj" në rast të kërcënimeve ndaj SHBA. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos