Raporti i KE për Maqedonia e Veriut: Hapa në vend në procesin e integrimit

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2025, 19:07 | Ballkani

Raporti i KE për Maqedonia e Veriut: Hapa në vend në procesin e

Progres i kufizuar në fushën e drejtësisë, ngecje e theksuar në luftën kundër korrupsionit dhe mosrealizimi i ndryshimit të kushtetutës janë disa kritikat në raportin e KE-së për Maqedoninë e Veriut.

Vendi nuk ka ndërmarrë hapa vendimtarë për të përparuar në negociatat brenda këtij viti. Maqedonia e Veriutduhet të miratojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të ecur përpara në rrugën e saj eurointegruese” tha Marta Kos, Komisionere e BE-së për Zgjerimin.

Sipas saj nevojiten përpjekje më vendimtare për të përbushur detyrimet si vend kandidat për anëtarësim në BE.

Mickoski: Edhe pse të zhgënjyer do t'i përmbushim detyrimet

Rruga drejt Bashkimit Evropian është e mbushur me sfida, por ne jemi të vendosur të përfundojmë detyrat tona, të punojmë për reformat. Për Maqedoninë e Veriut në vend të kriterëve të Kopenhagës, po vendosen kushte artificiale nga Bullgaria, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

"Por le ta përfundojmë detyrën tonë, t'i dorëzojmë detyrat e shtëpisë që të lëmë përshtypje tek BE-ja edhe pse kjo dëmton vlerat tona, ne jemi zgjedhur për të qeverisur”, tha Mickoski.

Sipas tij unanimiteti si mekanizëm brenda BE-së po keqpërdoret. Maqedonia nuk ka garanci se pas ndryshimeve kushtetuese nuk do të përballet me kërkesa të tjera bilaterale. Por gjithsesi sipas Mickoskite ardhmja e vendit është në Bashkimin Evropian.

"Zgjerimi në Ballkanin Perëndimor do të thotë ribashkim i Evropës. Pavarësisht të gjitha zhgënjimeve, ne ndajmë të njëjtat vlera me BE-në”, tha Mickoski.

Raporti i KE-së duhet të shihet si udhërrëfyes

Për politikanin e VMRO-DPMNE-së Marjan Gjorgiev, raporti për Maqedoninë e Veriut është "i moderuar”. Sipas tij zgjidhja për ecjen e Maqedonisë së Veriut drejt integrimit evropian është që bullgarët të përfshihen në Kushtetutë, por me efekt të vonuar.

"Në Kuvend duhet të votohet me shumicë të madhe që bullgarët të përfshihen në Kushtetutë, por me zbatim të vonuar” tha Gjorgiev.

Andrej Petrov nga LSDM vlerëson se Maqedonia ndodhet në një moment kyç të procesit të saj drejt Bashkimit Evropian, por thekson se fjala kryesore i takon qeverisë, e cila duhet të ndërmarrë hapa që janë në interes të shtetit dhe të qytetarëve.

"Qeveria kur zgjidhet, nuk është aty vetëm për të marrë duartrokitje, ajo ka detyrimin të punojë në interes të qytetarëve dhe të marrë edhe vendime të vështira. Politika nuk është vetëm populizëm, ndonjëherë duhet të bësh diçka që e konsideron të mirë për shtetin”, deklaroi Petrov.

Analisti politik, Bashkim Selmani, tha se raporti i KE-së vë në pah se shumë reforma ende nuk kanë arritur thellësinë e nevojshme për të garantuar ndryshime të qëndrueshme. Qeveria duhet ta shohë raportin e BE-së si një instrument profesional për përmirësim dhe jo si dokument kritik.

"Është koha që retorika e reformave të kthehet në veprim konkret përmes forcimit të institucioneve, rritjes së transparencës dhe të depolitizimit të administratës publike.Vetëm nëse krijohet ky kohezion, vendi mund të ecë përpara drejt përmbushjes së kritereve të anëtarësimit”, tha analisti politik Bashkim Selmani.

Nuk ka paralajmërim për ndryshime kushtetuese

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, tha se nuk ka paralajmërim për ndryshime kushtetuese, edhe pse ekziston vullneti i shumicës drejt Bashkimit Europian.

"Nuk ka paralajmërim për ndryshime kushtetuese por jam optimist se nga BE-ja ka vullnet për zgjerim, shumica parlamentare duhet të shfrytëzojë rastin”, tha Gashi./ DW (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos