Serbia ëshë tronditur nga zbulimi i një plani për të përmbysur qeverinë dhe për të bërë një ndryshim me forcë të pushtetit. Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë personave, shkruan A2.
Dy prej tyre akuzohen edhe për posedim dhe përdorim të paautorizuar të armëve të zjarrit dhe municionit.
Mes të akuzuarve janë Ivan Matoviç, një opozitar nga qyteti i Kralevës, Novica Antiç, ish-kryetar i Sindikatës Ushtarake të Serbisë, si dhe të paktën dy veteranë të luftës që kanë shprehur mbështetje për protestat studentore.
Sipas komunikatës së Prokurorisë serbe, ekziston dyshimi i bazuar se më 21 qershor, të akuzuarit janë takuar në një lokal në Kralevë ku kanë planifikuar kryerjen e një vepre penale, përkatësisht janë dakorduar dhe organizuar me të tjerë për të ndërmarrë veprime që synonin cenimin e rendit kushtetues të Serbisë.
Prokuroria e Beogradit ka publikuar edhe një transkript të bisedës, që sipas saj, është regjistruar në lokalin ku ishin mbledhur të akuzuarit. Në të flitet për organizimin e një proteste më 28 qershor në Beograd, për mënyrën e udhëtimit, numrin e pjesëmarrësve dhe veprimet që duhej ndërmarrë.
Sipas Prokurorisë, njëri nga të akuzuarit thuhet të ketë thënë: “Hyn, e pushton ndërtesën e Qeverisë, e bllokon dhe nuk del prej saj”.
Po ashtu, më 25 qershor, Ivan Matoviç dyshohet se ka kontaktuar me një person të quajtur Sërxhan G. për të diskutuar udhëtimin drejt protestës dhe hapat që do të ndërmerreshin.
Në të njëjtën ditë, policia ndaloi automjetin e drejtuar nga Ivan Matoviqi dhe gjatë kontrollit gjeti një pistoletë të llojit CZ 765 me numër serik të fshirë, e ngarkuar me 7 plumba, si dhe një kuti me 25 fishekë të njëjtë. (A2 Televizion)