Serbia shfaq forcën! 10 mijë trupa, avionë luftarakë, tanke e dronë parakalojnë në sytë e Vuçiç

Nga A2 CNN
20 Shtator 2025, 16:44 | Ballkani

Serbia shfaq forcën! 10 mijë trupa, avionë luftarakë, tanke

Ashtu siç kishte paralajmëruar prej javësh Presidenti Aleksandër Vuçic, Serbia zhvilloi sot një paradë të madhe ushtarake në Beograd, ku morën pjesë 10,000 anëtarë të Forcave të Armatosura.

Me tanke, autoblinda, avionë luftarakë e dronë të gjeneratës së fundit, Vuçiç shpalosi para popullit investimet e viteve të fundit në përforcimin e ushtrisë serbe.

Ato çka tërhoqën vëmendjen ishin sistemet moderne kundërajrore, siç janë sistemi rus "Pancir" dhe ai kinez "FK-3". Për herë të parë, publikut iu prezantuan edhe armët e reja të ushtrisë serbe, si sistemi raketor "PULS" dhe dronët "Hermes-900", të blerë së fundmi nga Izraeli.

Një surprizë në paradë, megjithatë, ishte fluturimi i dy avionëve ‘Rafale’ të Forcave Ajrore Franceze, të cilët mbërritën në Serbi për paradën ushtarake dhe u kthyen menjëherë në Francë pa u ulur. Ata u bënë pjesë e paradës pasi Serbia nënshkroi një kontratë në gusht 2024 për blerjen e 12 avionëve të rinj Rafale nga Parisi.

Kjo ishte parada e parë ushtarake në njëmbëdhjetë vjet në Beograd, pasi e fundit u mbajt në vitin 2014, ku i pranishëm edhe Presidenti rus Vladimir Putin.

Në të njëjtën kohë që parada ushtarake po zhvillohej në Beogradin e Ri, studentët organizuan një tubim nën sloganin "Ushtria i përket popullit".

Organizatat studentore dhe partitë opozitare e denoncuan paradën e sotme si "një shfaqje force nga regjimi i Vuçiçit që synon të përçajë në vend që të bashkojë shoqërinë".

Studentët në Serbi kanë protestuar për më shumë se dhjetë muaj kundër korrupsionit dhe mungesës së transparencës, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare. Protestat studentore filluan në përgjigje të aksidentit në stacionin e trenit të Novi Sadit më 1 nëntor 2024 , kur humbën jetën 16 persona. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos