Një paralajmërim shumë i fortë Amerikan i është dorëzuar Serbisë. Kjo gjë ndodhi gjatë takimit të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, me presidentin Aleksandër Vuçiç.
“Ambasadori Whitaker ishte i qartë: Bashkëpunimi i mbrojtjes dhe sigurisë i Serbisë me partnerë të pabesueshëm krijon varësi strategjike afatgjatë që është e vështirë të çmontohet dhe ndërlikon bashkëpunimin në të ardhmen. Për një partneritet modern dhe me vizion, drejtimi strategjik i Serbisë duhet të jetë në përputhje me Perëndimin. Siguria varet nga zgjedhja e partnerëve të duhur”, lexohet në njoftimin e ambasadës amerikane në Beograd, përcjell A2 CNN.
Nga ana tjetër, presidenti serb foli për rrethana të vështira gjeopolitike dhe pretendoi se dëshiron të ruajë paqen në Ballkan, pavarësisht se është i vetmi që e kërcënon atë. “Theksova veçanërisht se për Serbinë, ruajtja e sigurisë së popullit tonë në Kosovë është me rëndësi thelbësore, si dhe vazhdimi i një politike të përgjegjshme dhe serioze që përfshin si dialogun ashtu edhe këmbënguljen në respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe detyrimeve të ndërmarra”, shkruan Vuçiç në Instagram. (A2 Televizion)