Thatësira e zgjatur dhe temperaturat e larta që kanë përfshirë Europën kanë sjellë një rënie historike të nivelit të ujit në lumin Danub, duke prekur rëndë Serbinë.
Në qytetin verior të Novi Sadit, dhjetëra varka të ankoruara në marinë kanë mbetur të bllokuara në baltë dhe alga, pasi ujërat e lumit janë tërhequr ndjeshëm.
Banorët e zonës e përshkruajnë situatën si një fatkeqësi natyrore. Niveli i Danubit ka rënë këtë javë në vlera rekord edhe në Hungari, Kroaci dhe Rumani, si pasojë e valëve të gjata të të nxehtit dhe mungesës së reshjeve.
Në Serbi, niveli i ulët i Danubit, si edhe i lumenjve Tisa dhe Sava, ka vështirësuar transportin lumor dhe aktivitetin turistik, ndërsa ekspertët paralajmërojnë pasoja afatgjata për ekosistemin dhe jetën ujore. Peshkatarët vendas shprehen të alarmuar.
Pasojat janë të dukshme edhe në Kroaci, ku tërheqja e ujërave ka nxjerrë në sipërfaqe një anije mallrash të fundosur që prej vitit 1937, si edhe një bombë të mbetur nga Lufta e Dytë Botërore. Banorët e qytetit Lovas thonë se nuk mbajnë mend ndonjëherë një nivel kaq të ulët të Danubit. (A2 Televizion)