Vuçiç në Globsec: Beogradi nuk është i gatshëm ta njohë pavarësinë e Kosovës

Nga A2 CNN
13 Qershor 2025, 14:25 | Ballkani

Vuçiç në Globsec: Beogradi nuk është i gatshëm

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në Forumin GLOBSEC në Pragë se anëtarësimi i një shteti në Bashkimin Evropian (BE) është “vendim politik” dhe jo çështje merite.

“Njerëzit në Evropë flasin vazhdimisht për një qasje të bazuar në meritë, me formulime të tilla. Por, kështu s'ka ndodhur asnjëherë”, tha Vuçiq, duke theksuar se për Serbinë pengesa kryesore në këtë rrugë mbetet mosgatishmëria për të njohur pavarësinë e Kosovës.

“Bëhet fjalë për Kosovën. Siç e dini, ne i përmbahemi Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutës 1244, e cila thotë se Kosova është pjesë e Serbisë. Njëzet e dy nga 27 vendet anëtare të BE-së tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa pesë prej tyre jo – dhe ky është problemi. Beogradi nuk është i gatshëm ta njohë pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiq.

Rezoluta 1244 e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), të cilës i referohet Beogradi, i dha fund luftës në Kosovë. Ajo, ndër të tjera, përcakton mandatin e misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) - KFOR, për mbrojtjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Policia serbe dhe ushtria jugosllave u tërhoqën nga Kosova në verën e vitit 1999, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, me ç’rast përfundoi edhe bombardimi i NATO-s ndaj Jugosllavisë së atëhershme. Kosova shpalli pavarësinë më 2008.

Gjatë forumit në Pragë, Vuçiq u takua edhe me emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, me të cilin, sipas tij, pati një “bisedë përmbajtjesore dhe konstruktive” për vazhdimin e bisedimeve nën ndërmjetësimin e BE-së, sfidat rajonale dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

“Përsërita përkushtimin e plotë të Serbisë për të gjetur zgjidhje kompromisi përmes dialogut, me respekt të plotë për partnerët ndërkombëtarë dhe me një vlerësim të qartë për interesat e popullit tonë. Nënvizova se për vazhdimin e dialogut është thelbësore kthimi te bazat që janë lënë pas dore – siç është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, deklaroi Vuçiq.

Forumi i sivjetmë GLOBSEC po mbahet në një kohë kur vendet evropiane po e rishikojnë me intensitet të shtuar rolin e tyre në një mjedis global që po ndryshon.

Ballkani Perëndimor është pjesë e agjendës, por Kosova nuk është e përfaqësuar në këtë ngjarje./REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos