Në Pragë, ku po merr pjesë në punimet e forumit të lartë GLOBSEC, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të hzvillojë edhe një bisedë me të dërguarin special të BE-së për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Peter Sorensen.
Vuçic e la të qartë në deklaratën për mediat se do t’i ankohet Sorensen për gjithçka, në lidhje me Kosovën.
“Do i tregoj gjithçka që institucionet në Prishtinë po bëjnë kundër serbëve në të gjitha pjesët, veçanërisht në veri të Kosovës dhe Metohisë. Do të flas për domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit, por e di që pavarësisht se çfarë më përgjigjen, nëse për 12 vjet nuk kanë bërë asgjë për ta detyruar Prishtinën të respektojë atë që ka nënshkruar, nuk besoj se do të ndodhë diçka në të ardhmen”, tha Vuçiç në konferencën për shtyp në Pragë.
Vuçiç më tej hodhi pretendimin se në vijim do të kemi një vendim shokues në lidhje me njohjen e Kosovës nga dy vende.
“Kjo forcon një nga pozicionet tona të tjera, që është vendosmëria për të vazhduar punën për të ruajtur integritetin tonë territorial në luftën kundër kundërshtarëve të fuqishëm si Turqia dhe disa vendeve të tjera që po punojnë me shkathtësi për të njohur pavarësinë e Kosovës, por së shpejti do të kemi surpriza nga dy pjesë të ndryshme të botës për partnerët tanë që po luftojnë për njohje”, theksoi ai. (A2 Televizion)