Katastrofë në Venezuelë: Mbi 68 mijë të zhdukur pas tërmeteve shkatërruese

Nga A2 CNN
28 Qershor 2026, 18:34 | Bota

Katastrofë në Venezuelë: Mbi 68 mijë të zhdukur pas

Mbi 68 mijë persona rezultojnë ende të zhdukur në Venezuelë, disa ditë pasi vendi u godit nga dy tërmete të fuqishme që shkaktuan shkatërrime të mëdha dhe një bilanc tragjik viktimash.

Dy lëkundjet sizmike me magnitudë 7.2 dhe 7.5, që goditën vendin të mërkurën, kanë lënë të paktën 1,430 të vdekur dhe 3,238 të plagosur, ndërsa mijëra banesa dhe ndërtesa janë shembur.

Sipas Euronews, në operacionet e kërkim-shpëtimit janë angazhuar rreth 30 mijë specialistë venezuelianë, të mbështetur nga ekipe ndërkombëtare që kanë mbërritur nga e gjithë bota. Autoritetet po vijojnë përpjekjet për të gjetur të mbijetuar nën rrënoja, edhe pse kanë kaluar 72 orët e para, të konsideruara si periudha më vendimtare për shpëtimin e jetëve.

Presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodríguez, bëri të ditur se deri më tani 24 shtete kanë ofruar ndihmë, duke dërguar 521 ton furnizime humanitare, 86 ekipe me qen kërkimi dhe mbi 2,741 efektivë të angazhuar në operacionet e shpëtimit.

Edhe banorët e zonave të prekura janë bashkuar në kërkimin e të afërmve të tyre, duke gërmuar mes rrënojave në përpjekje për të gjetur të mbijetuar.

Ndërkohë, diplomatja e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, shprehu solidaritetin e BE-së me popullin venezuelian pas një bisede telefonike me presidenten në detyrë. Ajo njoftoi se Bashkimi Evropian ka mobilizuar 5 milionë euro ndihmë emergjente për komunitetet e prekura.

Sipas një vlerësimi paraprak të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP), dëmet e drejtpërdrejta fizike të shkaktuara nga tërmetet arrijnë në rreth 6.7 miliardë dollarë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos